Akuza për abuzime seksuale, avokatët e P Diddy i kërkojnë gjykatësit të publikojë identitetet e viktimave
Avokatët e manjatit të muzikës Sean ‘Diddy’ Combs i kërkuan të martën një gjykatësi në Nju Jork që t’i detyrojë prokurorët të bëjnë të njohur emrat e individëve që e akuzojnë atë në çështjen e ngritur ndaj tij për trafikim seksual
Avokatët i drejtuan një letër gjykatësit federal ku shkruhej se klienti i tyre duhet të njihet me identitetet e viktimave të supozuara në mënyrë që të përgatitet siç duhet për gjykim. Data e fillimit të procesit gjyqësor ndaj zotit Combs është caktuar më 5 maj. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm.
Një zëdhënës i prokurorisë nuk ka pranuar të komentojë. 54-vjeçari Combs mbetet në qeli pa të drejtën e lirimit me kusht pas arrestimit më 16 shtator nën akuzat federale për trafikim seksual. Avokatët e tij kanë kërkuar nga një gjykatë federale e apelit që zoti Combs të lirohet në paraburgim në shtëpi, në mënyrë që të mund të takohet më lehtë me avokatët dhe të përgatitet për gjyq. Deri më tani, gjykatësit kanë arritur në përfundimin se ai përbën rrezik për komunitetin dhe nuk mund të lihet i lirë.
Kërkesa për të bërë të ditur emrat e individëve që e akuzojnë atë vjen një ditë pas ngritjes së gjashtë padive të reja kundër zotit Combs në mënyrë anonime me qëllim mbrojtjen e identitetit të viktimave të supozuara, me dy prej tyre femra dhe katër të tjerë meshkuj.
Paditësit pretendojnë se zoti Combs përdori famën e tij dhe premtimet për t’i rritur perspektivat e tyre në industrinë e muzikës dhe për t’i bindur viktimat të merrnin pjesë në darka luksoze ku përdorej gjerësisht droga dhe më pas i sulmonte. Individët në padinë e së hënës janë pjesë e asaj që avokatët e tyre thonë se është një grup prej më shumë se 100 kallëzuesish që janë në proces të ngritjes së padive kundër manjatit të muzikës.
Në letrën drejtuar gjykatësit Arun Subramanian, avokatët e zotit Combs thanë se rasti kundër klientit të tyre është unik, pjesërisht për shkak të numrit të akuzuesve. Ata ia atribuuan shifrën “statusit të tij të famshëm, pasurisë dhe publicitetit pas një padie të hershme ndaj tij të zgjidhur më parë”.
Duket se bëhet fjalë për një padi të muajit nëntor të ngritur nga ish e dashura e tij, Cassie, emri i së cilës është Cassandra Ventura. Zoti Combs bëri marrëveshje me zonjën Ventura për ta mbyllur çështjen pa shkuar në gjyq, por pretendimet për abuzime seksuale dhe fizike e kanë ndjekur atë që nga ajo kohë.
Zoti Combs u arrestua më 16 shtator në Manhatan, rreth gjashtë muaj pasi autoritetet federale zhvilluan hetime për trafikim seksual, duke bastisur rezidencat e tij luksoze në Los Anxhelos dhe Majami./ VOA
Fraksion.com