Ahmetaj: Forcimi i lekut frenoi rritjen e inflacionit
Natasha Ahmetaj, zv.guvernatore e Bankës së Shqipërisë, deklaroi se krahas disa faktorëve të jashtëm, forcimi i lekut kundrejt valutave frenoi rritjen e inflacionit në vendin tonë.
Në një intervistë për mediet, Ahmetaj tha se “rritja e çmimeve shënoi pikun e vet në tetor 2022, ku regjistroi nivelin 8.3 %. Megjithatë që prej asaj kohe, në këto dy vjet inflacioni në vendin tonë, por edhe në të gjithë botën është vendosur në atë që ne e quajmë trajektore zbritëse”.
Sipas saj, shifrat e fundit në muajin shtator 2024 e vendosin inflacionin në nivelin 1.9 % madje dhe më ulët se objektivi i BSH-së që është 3%.
Duke u ndalur në efektet që sollën rënien e inflacionit, Ahmetaj përmendi kapërcimin e krizës energjetike dhe lëndëve të para; daljen e ekonomive botërore nga pandemia dhe aktivizimin e politikës monetare në kahun normalizues përballë inflacionit të rritur.
Ajo tha se, “nisur nga analizat e thelluara dhe pritshmëritë e BSH-së, kriza e inflacionit quhet e kapërcyer”.
“Në Shqipëri vërtet pati rritje të inflacionit, por në vendet fqinjë ai shënoi shifra dyshifrore. Ne nuk arritëm në këta tregues, sepse kishim forcim të kursit të këmbimit që ishte një faktor frenues për rritjen e inflacionit. Gjithashtu ne arritëm të ruanim stabilitetin e çmimit të energjisë elektrike që ishte faktor i rëndësishëm për rritjen e inflacionit në ekonomi”, deklaroi Ahmetaj.
Fraksion.com