AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Prokurimet e realizuara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, Gonxhja: U kursyen 7 milionë euro në buxhet

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se përmirësimi i procedurave të prokurimit publik ka kontribuar edhe në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarit.

Sipas tij, në 5-mujorin e parë të funksionimit është arritur të kursehen në vlerë absolute 20% e fondeve të prokuruara, duke ndikuar ndjeshëm në mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit.

Gjithashtu, në kuadër të masave të marra për zgjerimin e konkurrencës, theksoi ministri, është mundësuar rritja e numrit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në prokurimet e realizuara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

“Është kursyer 20% e fondit në buxhetin e shtetit nga procedurat e vlerësuara për periudhën maj-tetor të këtij viti, ose 7 milionë euro. Njëkohësisht është rritur në 4.4 numri mesatar i operatorëve ekonomikë garues në procedurë prokurimi, nga 2.7 që ishte në 2023-shin”, deklaroi Gonxhja.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP sh. a.), shoqëria e re në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që ka nisur operimin nga 25 prilli 2024, kryen funksionet e ish-Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, tashmë e rikonceptuar si shoqëri me vetëfinancim, e ngarkuar edhe me ngritjen e Katalogut Online – Alb Zone – për prezantimin digjital të platformës unike të blerjeve nga institucionet publike.