Presidenti amerikan Biden pritet në Gjermani të premten
Pas anulimit në minutën e fundit të vizitës së Presidentit amerikan Joe Biden në Gjermani, tani është caktuar data e re. Megjithatë, programi i Presidentit në largim është reduktuar.
Presidenti i SHBA Joe Biden pritet në Gjermani të premten. Sipas informacioneve të disa agjencive të lajmeve, vizita e presidentit amerikan është planifikuar vetëm për një ditë. Sipas revistës së lajmeve “Spiegel”, përgatitjet për vizitën në Berlin tashmë janë duke u zhvilluar në prapaskenë midis qeverisë federale dhe shërbimeve të sigurisë. Në agjendën aktuale të Bidenit, takimet zyrtare me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarin Olaf Scholz janë planifikuar për të premten.
Uragani Milton prishi planet e udhëtimit
Joe Biden kishte planifikuar të vinte në Gjermani më 10 tetor dhe të qëndronte këtu për disa ditë. Por pak para vizitës, Shtëpia e Bardhë e anuloi vizitën shtetërore. Shkak ishte uragani Milton, i cili në atë kohë po shkonte drejt shtetit amerikan të Floridës. Nga frika e shkatërrimit në masë, Biden qëndroi në SHBA.
Udhëtimi do të ishte vizita e parë dypalëshe e Biden në Gjermani në më pak se katër vjet në detyrë. Megjithëse presidenti amerikan mori pjesë në samitin e G7 në Elmau në vitin 2022 dhe u ndal në një rast tjetër për të furnizuar me karburant avionin e tij qeveritar në bazën ushtarake amerikane të Ramstein-it, në landin gjerman të Rheinland-Pfalz, ai nuk i kishte kushtuar Gjermanisë një vizitë të veçantë. Ai e bën këtë tani, pak para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Bideni do të largohet nga detyra në janar.
Dyshime për shëndetin e tij mendor
Bideni njoftoi në korrik se po tërhiqej nga fushata dhe emëroi zëvendëspresidenten e tij Kamala Harris si kandidaten e tij zëvendësuese. Këtij vendimi i parapriu një debat disajavor për shëndetin mendor të 81-vjeçarit. Gjatë duelit televiziv kundër kundërshtarit të tij republikan Donald Trump, Biden pati një paraqitje problematike. Thirrjet për tërheqje u shumëfishuan më pas brenda Partisë së tij Demokrate.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris është 59 vjeç. Ajo ka “kapacitetin fizik dhe mendor për të përmbushur me sukses detyrimet e zyrës presidenciale”, tha mjeku i saj Joshua Simmons, i cili paraqiti një raport në fillim të tetorit. Ekipi i fushatës së rivalit të tij, Donald Trump, deklaroi menjëherë se edhe 78-vjeçari ishte shumë i përshtatshëm për këtë rol./DW
Fraksion.com