AktualitetPolitikëTë fundit

“Ndryshuat atë që konsultuat me ne”, Opozita kërkon pezullimin e procedurave: Projektiligji për Shkencën politik, poshtëron botën akademike dhe shkencore në vend

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri për “Shkencën dhe kërkimin shkencor”, i cili synon të nxisë dhe zhvillojë shkencën e hapur në vendin tonë.

Por ky projektligj ka hasur në kundërshtimin e opozitës. Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe Edukimin, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka publikuar një shkresë zyrtare të Konferencës së Rektorëve dërguar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, ku shprehen kundër projektligjit të ri.

Në shkresën e publikuar nga Zhupa, e cila mban firmën e kryetarit të Konferencës së Rektorëve Artan Hoxha, kërkohet pezullimi i procedurave të miratimit të projektligjit.

“Me shqetësim konstatojmë se projektligji që ju keni ne shqyrtim, është një variant shumë më ndryshe nga ai që është konsultuar me ne, duke iu rikthyer thuajse, variantit të parë të projektit fillestar, i kundërshtuar nga Konferenca e Rektorëve. Në këto kushte do të kërkonim pezullimin e procedurave të miratimit të projektligjit dhe të pranoni në fillim të javës që vjen, komentet që do t’ju dërgojë Konferenca e Rektorëve”, – thuhet në shkresën e publikuar nga Zhupa.

Deputetja e PD-së i bën thirrje mazhorancës që të tërhiqet, ndërsa e cilëson projektligjin e ri si një projekt politik për kapjen e shkencës dhe dijes.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka cilësuar si “dhuratë poshtëruese” për botën akademike dhe shkencore në vend, projektligjin e ri për Shkencën.

“Sezonin e ri universitar qeveria e nis me një “dhuratë poshtëruese” duke bërë gati një ligj që poshtëron botën akademike dhe shkencore në vend.

Në krye të shkencës do të jetë vetë ai që shkatërroi çdo institucion kërkimor dhe shkencor, që shkatërroi lirinë akademike dhe autonominë universitare, që bën fushata intimiduese ndaj pedagogëve që kërkojnë të drejtat e tyre, që e ka çuar nivelin e buxhetimit për Arsimin më pak se gjysma e vendeve fqinje, që e rriti analfabetizmin funksional dhe ka gati zero fonde për kërkimin shkencor”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Metës, shkresa fyen mendimet e Konferencës të Rektorëve, mendimi i të cilëve kërkohet vetëm për formalitet.

Ky projektligj, sipas qeverisë, është në përputhje me parimet e shkencës të Bashkimit Evropian dhe parashikon krijimin e institucioneve të posaçme që do të koordinojnë punën për të nxitur kërkimin shkencor, me qëllim që kjo t’i shërbejë zhvillimit shoqëror.

 

Fraksion.com