AktualitetBota+Të fundit

Florida, mes shkatërrimit shkaktuar nga uragani Milton

Në Florida, zyrtarët thonë se po vijojnë vlerësimet e dëmeve ë shkaktuara nga Uragani Milton. Nga ana tjetër banorët që janë kthyer në shtëpitë e tyre kanë gjetur vetëm shkatërrim. Meteorologët besojnë se të paktën 38 tornado që goditën zonën mund të kenë lidhje me uraganin Milton.

Banorët në Florida janë ende të tronditur nga shkatërrimi që shkaktoi uragani Milton. Osvaldo Cruz i cili jeton në Grove City po vlerëson dëmet në shtëpinë e tij, disa ditë pasi uragani goditi brigjet e Floridës.

“Shkatërrim total. Këtu ka shkatërrim total dhe kaos… Siç mund ta shikoni në katin e parë çdo gjë është shkatërruar. Këtu duhet të kishte një mur, por nuk është më. Aty ishte dera e garazhdit, tani nuk është më”, tregon ai.

Shumë banorë të tjerë para syve të tyre kanë vetëm shkatërrim. Osvaldo Cruz thotë se pas asaj që kaluan me uraganin Milton po mendon tashmë për alternativa të tjera.

“Këtu ishte një lagje e bukur, e qetë për të jetuar. Na pëlqente pamja. Na pëlqen peshkimi. Ishte një lagje shumë e bukur. Por tani, pas kësaj eksperience, duhet t’i vendosim gjërat në perspektivë dhe të shohim nëse kjo ia vlen apo jo”, tregon ai.

Milton shkaktoi të paktën 10 viktima pasi goditi në tokë si një uragan i kategorisë 3, me erëra maksimale prej 205 kilometrash në orë, duke përshkuar Floridën qendrore, duke përmbytur ishujt dhe duke shkaktuar tornado vdekjeprurëse.

Zyrtarët thonë se numri i viktimave mund të ishte më i lartë nëse nuk do të kishte evakuime të shumta. Tampa, që ka një përqëndrim të lartë të popullsisë, u kursye nga një goditje e drejtpërdrejtë.

Meteorologët besojnë se të paktën 38 tornado që goditën zonën mund të kenë lidhje me uraganin Milton. Shërbimi Kombëtar i Motit është në proces të shqyrtimit të raporteve paraprake dhe ky është një proces që mund të zgjasë me javë të tëra.

 

Fraksion.com