Deputetët debatojnë për ushqimin në FSK
Me kërkesën e partive opozitare, deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë për çështjen e furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se situata aktuale “është tepër shqetësuese”.
“Trajtimi i ushtarëve tanë me neglizhencë është një shkelje e përgjegjësisë së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është sinjal alarmant që kërkon një zgjidhje të shpejtë”, tha ai.
Berisha tha se ushtarët s’duhet të shqetësohen se a kanë ushqim apo çfarë kualiteti është ushqimi i tyre.
Ata duhet të jenë të preokupuar vetëm me pjesën e detyrave që i kanë”, theksoi ai.
Opozita pritet që në fund të debatit të paraqesë edhe një rezolutë për këtë çështje.
Në javët e fundit, mediat lokale kanë publikuar shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për që u servohet.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë.
LVV thotë se s’do të marrë pjesë në seancat e thirrura nga opozita
Pak para nisjes së seancës, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e së hënës, e as në nisma të tjera të partive opozitare.
Gjatë një konference për media, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, akuzoi opozitën se po e “shantazhon” grupin parlamentar të tyre, duke kushtëzuar pjesëmarrjen në seanca plenare dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me shkarkimin e Mimoza Kusari-Lilës nga posti i kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“S’pranojmë kushtëzime të tilla”, tha ai.
“Si rrjedhojë, ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seance apo iniciative që vjen nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe shmangin këtë formë imponimi, që gjithsesi nuk kalon”, shtoi ai.
Ai foli edhe për seancën e jashtëzakonshme të thirrur lidhur me mungesën e ushqimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas Dugollit, për këtë gjë, ka raportuar në Komisionin për çështje të sigurisë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai tha se LVV-ja përkrahu kërkesën e opozitës për një raportim të tillë.
Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, sipas tij, është pjesë e një “seri dezinformatash që synojnë tash e disa ditë që të keqinformojnë qytetarët”.
Ndërkaq, deputeti tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci, akuzoi opozitën se po bën “propagandë” dhe po “dezinformon” sa i përket çështjes së shujtave të ushtarëve të FSK-së.
Bajqinovci tha se kompanisë që ka pasur kontratën paraprake për furnizimin me ushqim i ka skaduar kontrata dhe shtoi se kazermat e FSK-së po furnizohen me ushqim cilësor, ndërkaq po ashtu shpejt do të zgjidhet edhe çështja e stafit.
Për shkak të çështjes së shujtave ushqimore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, dhe ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe ka kërkuar raport të detajuar për situatën.
Osmani po ashtu ka kërkuar që të miratohet një propozim shtatë-pikësh, për një program shtetëror për mbështetjen shumëdimensionale të FSK-së, e cila, sipas Presidencës, “ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
SHIKONI EDHE:
Osmani fton në takim Jasharin dhe Maqedoncin pas raportimeve për shujtat në FSK
Në planin e presidentes Osmani, parashihet pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri, pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesa e mëditjeve gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit, sigurimi shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak, përmirësimi i cilësisë së ushqimit, sigurimi i banimit të përballueshëm, dhe fondi kreditues për ushtarët.
Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësi të Kosovës.
Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për të ndryshuar mandatin e FSK-së.
Përgjegjësitë e reja kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.
Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë.
Deri në fund të tij, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.