AktualitetBota+Të fundit

Alexey Navalny e dinte që do të vdiste në burg

Disidenti rus Alexey Navalny, i cili deri kur vdiq në muajin shkurt ishte kundërshtari kryesor politik i Presidentit Vladimir Putin, besonte se do të vdiste në burg. Kështu shkruhet në kujtimet e tij, që do të publikohen më 22 tetor.

Revista “The New Yorker” publikoi të premten pjesë të librit me kujtimet e tij, ku përmblidhen shkrime nga ditari i tij personal gjatë kohës që ai ishte i burgosur, si dhe nga periudha e mëparshme.

“Do ta kaloj jetën në burg dhe do të vdes këtu”, shkruante ai në 22 mars 2022.

“Nuk do të kem dikë që t’i them lamtumirë… Të gjithë përvjetorët do të festohen pa mua. Nuk do t’i shoh kurrë nipërit e mi”, shkruante ai.

Zoti Navalny ishte dënuar me 19 vite burgim me akuza për “ekstremizëm” dhe vuante dënimin në një burg në Arktik.

Vdekja e tij më 16 shkurt, në moshën 47-vjeçare, ngjalli kritika të shumta dhe shumë njerëz fajësuan Presidentin Putin.

Zoti Navalny u arrestua në janar 2021 ndërsa kthehej në Rusi, pasi kishte pësuar një emergjencë të rëndë shëndetësore nga një helmim në vitin 2020.

“Të vetmes që duhet t’i frikësohemi është nëse e dorëzojmë vendin tonë për t’u plaçkitur nga një bandë gënjeshtarësh, hajdutësh dhe hipokritësh”, shkruante ai më 17 janar 2022.

Kujtimet e tij pasqyrojnë vetminë e burgimit, por kanë edhe një dozë humori.

Për shembull, më 1 korrik 2022, zoti Navalny përshkroi ditën e tij: zgjimi në 6 të mëngjesit, ngrënia e mëngjesit në 6:20 dhe fillimi i punës në 6:40.

“Gjatë punës, qëndron i ulur për shtatë orë tek një makinë rrobaqepëse, në një stol që është nën nivelin e gjurit”, shkruate ai.

“Pas punës, vazhdon të qëndrosh i ulur një stol druri, nën një portret të Putinit. Ky quhet ‘aktivitet disiplinor’.”

Libri, i titulluar “Patrioti”, do të botohet nga firma botuese amerikane Knopf, e cila synon të botojë edhe një version në rusisht.

“Është e pamundur ta lexosh ditarin e burgut të Navalnit, pa u revoltuar nga tragjedia e dhimbjes së tij, dhe nga vdekja e tij”, shkruan David Remnick, redaktor i revistës “New Yorker”.

Në pjesën më të fundit të publikuar nga revista, që mbart datën 17 janar 2024, zoti Navalny i jep përgjigje pyetjes që i drejtojnë të burgosurit e tjerë dhe rojet e burgut: Përse u rikthye në Rusi?

“Nuk dua të heq dorë nga vendi im, apo ta tradhtoj. Nëse bindjet kanë domethënie, duhet të jemi të përgatitur për t’i mbrojtur dhe nëse është e nevojshme, të bëjmë sakrifica”, shkruante ai./VOA

 

Fraksion.com