AktualitetPolitikëTë fundit

Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg hapim negociatat me Shqipërinë, proces i bazuar tek merita

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi sot se, Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE dhe duhet të ishte pjesë edhe tani.

Në një deklaratë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, në Budapest, Orban tha se, vizita e Ramës në Hungari “është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne, jo vetëm që të diskutonim situatën specifike, por edhe në përgjithësi të ardhmen e politikave evropiane si edhe situatën në Ballkanin Perëndimor”.

Orban e cilësoi Ramën si një artist të politikës dhe e falënderoi për bisedat e zhvilluara.

Orban theksoi se, Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE dhe duhet të ishte pjesë edhe tani.

“Tani kemi situatën e kundërt. Unë kërkova ndihmën e tij, sepse tashmë ne kemi mundësinë që t’i kemi këtu miqtë tanë shqiptarë, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e BE, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Dhe unë në fakt kam folur për këtë gjë dhe kur isha në Strasburg, sepse mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë, dhe e thashë këtë edhe në Strasburg, është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet, sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen evropiane”, tha ai.

Në fakt, shtoi Orban, “Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në, në një proces, i cili është bazuar tek merita në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

“Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE dhe duhet të ishte pjesë edhe tani. Por, fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme ndoshta edhe këtë lloj qasjeje”, tha Orban.

Megjithatë, shtoi kryeministri hungarez, “unë mund t’ju them që kemi pasur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grupkapitulli i parë, dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë”.

Orban u shpreh shumë krenar që ky moment vjen në këtë periudhe kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së.

“Ndoshta ju e mbani mend që herën e fundit që kemi pasur diskutime të tilla kanë qenë në fakt kur ne kemi qenë në Presidencë dhe Kroacia u bë vend anëtar i BE-së, dhe që prej atëherë nuk ka pasur anëtarësime të tjera në BE. Por ja që ne e kemi bërë këtë gjë të mundur sërish”, tha ai.

Orban theksoi se, Hungaria në frymën e një politike të përgjegjshme të fqinjësisë së mirë ka ndihmuar BE-në, duke ofruar edhe mbështetje financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Pra, ju nuk duhet të prisni për anëtarësimin që të përfitoni këtë gjë, sepse ka një instrument tashmë nga i cili përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Orban.

Fraksion.com