SPAK: Bisedat e pretenduara të SKY për Gazment Bardhin, të sajuara
Mesazhet që i kanë mbërritur Gazment Bardhit në Signal, në të cilat pretendohet se Ervis Martinaj i ka dhënë 100 mijë euro, SPAK thotë se nuk janë të vërteta. Në një njoftim publik, SPAK thotë se këto mesazhe janë të manipuluara dhe se nuk kanë rrjedhur nga zbërthimet e mesazheve në SKy Ecc.
“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.
Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.
Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, njofton SPAK.
Adresa e emailit që mban emrin “Mbreti Zog”, u dërgoi disa mediave dokumentet që pretendohet të jenë zbardhjet e oficerëve të policisë gjyqësore në SPAK, të biseda të koduara nga aplikacioni Sky Ecc mes bosit të zhdukur të krimit, Ervis Martinaj, dhe Erigers Mihasit, i vrarë në Tiranë në nëntor 2021, i përfshirë në grabitjen e dhunshme të prindërve të Elton Cicos në Tepelenë.
Fraksion.com