AktualitetRajoniTë fundit

Liderët e Ballkanit mblidhen në Dubrovnik në përkrahje të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti të mërkurën në Kroaci për një samit me liderët e Ballkanit – përfshirë presidenten e Kosvoës, Vjosa Osmanin – ndërsa vendi i tij përpiqet të ndalë avancimet ruse në lindje të Ukrainës, me Kievin që kërkon më shumë ndihmë ushtarake.

Zelensky tha në platformën X se kishte mbërritur në Kroaci për të marrë pjesë në samitin që po mbahet në pjesën jugore të Dubrovnikut.

Samiti do të diskutojë për “përpjekjet ndërkombëtare për ta afruar paqen… si dhe bashkëpunimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ai.

Kroacia do të presë liderët e 12 shteteve rajonale dhe Zelenskyn në këtë udhëtim të tij për të siguruar mbështetje nga aleatët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund t’i lënë nën hije zhvillimet në Ukrainë.

Samiti do të tregojë se “i gjithë rajoni mbështet Ukrainën dhe popullin ukrainas në luftën për liri”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai premtoi vazhdimin e “solidaritetit me Ukrainën… duke përfshirë ndihmën ushtarake”.

Së bashku me Zelenskyn dhe Pllenkoviqin do të jenë krerët e shteteve, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Zyra e presidencës së Kosovës ka thënë se në këtë samit “pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”.

Ndërsa, në margjinat e këtij samiti, Osmani pritet të zhvillime edhe takime të ndara me homologët e saj.

Fushata për ndihmë ushtarake

Takimi pranë brigjeve të Adriatikut është samiti i tretë “Ukraina-Evropa Juglindore”.

Në samitin e fundit të mbajtur në Shqipëri në shkurt, Zelensky bëri thirrje për mbështetje më të madhe për të ndihmuar në mbrojtjen kundër forcave ruse.

Ai ka vazhduar të kërkojë për më shumë ndihmë, ndërsa Rusia po përfiton në fushëbetejë nga avantazhi me burime njerëzore dhe municione.

Zelensky gjithashtu ka kërkuar leje për të përdorur armët me rreze të gjatë, që janë dhënë nga aleatët, për të sulmuar objektiva ushtarake thellë brenda territorit rus.

Një deklaratë e përbashkët në fund të samitit pritet të dënojë agresionin rus, të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës dhe planin e paqes të Zelenskyt, të kërkojë ndjekje penale për krimet e luftës në Ukrainë dhe të mbështesë integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO të Kievit, sipas mediave lokale.

Fotografi ilustruese nga samiti i fundit i mbajtur mes liderëve të Ballkanit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt, në Tiranë të Shqipërisë, më 28 shkurt 2024.

Përplasje në Kroaci për Ukrainën

Pllenkoviq tha se në dy vitet e fundit, ndihma e Kroacisë për Ukrainën, kryesisht ushtarake, arrin në 300 milionë euro.

Ai vizitoi Kievin muajin e kaluar, në vizitën e tij të tretë në Ukrainë që nga pushtimi rus në shkurt 2022, ndërsa kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Kroaci.

Lideri ukrainas pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Pllenkoviqin për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë midis dy vendeve.

Marrëveshja do të përqendrohet kryesisht në përvojën e Kroacisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe largimin e minave pas luftërave të Ballkanit të viteve 1990.

Por, takimi vjen në mes të një përplasjeje të brendshme për Ukrainën midis qeverisë konservatore të Kroacisë dhe presidentit Zoran Millanoviq.

Millanoviq refuzoi më herët këtë muaj ta mbështeste propozimin e qeverisë për të dërguar oficerë kroatë në një mision të NATO-s në Gjermani për të trajnuar ushtarët ukrainas.

Presidenti, i cili ka kompetenca të kufizuara, por është komandant suprem i forcave të armatosura të vendit, tha se nuk do të lejojë që ushtarët kroatë të “marrin pjesë në aktivitete që e shtyjnë Kroacinë drejt luftës”.

Kryeministri akuzoi Millanoviqin se po vepronte kundër interesave kombëtare. Ai i bëri thirrje deputetëve ta rrëzojnë vendimin e presidentit, gjë që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të votave në parlament./REL

 

Fraksion.com