AktualitetTë fundit

400 kursantë i shtohen trupës së Policisë, Hoxha: Akademia e Sigurisë, institucion elitar

Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua sot ceremonia për certifikimin e 400 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin Policor për Patrullë të Përgjithshme dhe për nisjen e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit për studimet Bachelor për 150 maturantë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i pranishëm në këtë ceremoni u shpreh se rikthehet në Akademinë e Sigurisë, në të njëjtën ditë me dy gëzime: diplomimin e 400 punonjësve të policisë dhe fillimin e vitit të ri akademik me 150 punonjës të rinj, të cilët shumë shpejt, si vetë brezat paraardhës do marrin detyra shumë të rëndësishme në Policinë e Shtetit.

Hoxha theksoi se, Akademia e Sigurisë u ka dhënë dijet e nevojshme brezave dhe shumë gjeneratave të Policisë së Shtetit.

“Prania ime këtu ka simbolikë shumë të veçantë dhe kënaqësi të dyfishtë, jo vetëm si ministër i Brendshëm, por edhe si ish-oficer policie, që jam trajnuar dhe kam dhënë mësim në këtë Akademi Sigurie. Ky institucion u ka dhënë dijet e nevojshme brezave dhe shumë gjeneratave të Policisë së Shtetit, të cilat do të formojnë të ardhmen e policisë. Ai garanton cilësi në arsim dhe një garë shumë të drejtë nëpërmjet konkurrence të ndershme”, tha Hoxha.

“Në themele të këtyre arritjeve dhe sukseseve të kësaj Akademie është kontributi i qindra burra e grave, që kanë shërbyer në këtë institucion si profesorë, lektorë, asistentë, bashkëpunëtorë shkencorë, apo punonjës të administratës dhe kësaj Akademisë, por sigurisht edhe i atyre që kanë studiuar këtu”, nënvizoi Hoxha.

Duke iu drejtuar studentëve dhe kursantëve, Hoxah tha se, “duhet të kontribuoni në forcimin e këtyre arritjeve, pasi shoqëria shqiptare pret nga ju t’i ktheni pas këtë çka investohet te ju dhe te brezat që do të vijnë, për të rritur gjithmonë sigurinë e qytetarëve dhe besimin e publikut”.

Hoxha shtoi se, Akademia e Sigurisë është sot një institucion i arsimit të lartë, i akredituar nga Ministria e Arsimit.

“Ky është një lajm i gëzueshëm sepse sot që në flasim kjo Akademi ka përfunduar procesin e akreditimit, edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Forcat e Zbatimit të Ligjit, me seli në SHBA”, tha Hoxha.

“Kanë kaluar gati dy dekada nga dita kur kjo Akademi u mbyll dhe u shndërrua në Qendër e Formimit Policor, si pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ulja e statusit të shkollës, nga arsim i lartë, në qendër trajnimi, si dhe niveli apo cilësia e programeve, ndikuan negativisht në përgatitjen e punonjësve të policisë, sidomos të specialistëve të hetimit të krimit, të cilët duhet të ushtronin atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore”, theksoi ministri.

Ministri u shpreh se i qëndron bindjes për një arsim policor cilësor, në një akademi cilësore, me dije bashkëkohore.

“Policia që duam kalon nga Akademia që ne duam. Përmirësimi i sistemit të arsimit, edukimit dhe kualifikimit policor, që neve tashmë kemi ndërmarrë, ka për qëllim të përgatisë punonjës policie të aftë profesionalisht, për t’i ofruar publikut një shërbim cilësor dhe demokratik”, tha ai.

“Në hartimin e politikave të arsimit, edukimit dhe kualifikimit të personelit të Policisë së Shtetit, kemi marrë parasysh shumë faktorë, si mjedisi i jashtëm po ashtu edhe i brendshëm; kemi analizuar të kaluarën dhe të tashmen, si dhe kemi hedhur vështrimin për nevojat që parashikon e ardhmja për ta bërë atë më të sigurt”, theksoi Hoxha.

Ministri Hoxha gjithashtu falënderoi gjithë partnerët ndërkombëtarë, të SHBA, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Turqisë, misionit të OSBE etj., për ndihmën dhe kontributin e veçantë që kanë dhënë e po japin në modernizimin e Akademisë së Sigurisë.

“Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar dhe me vëmendje të plotë te Policia e Shtetit, e cila siç e dini dhe ju, po kalon në faza dhe procese reformimi të niveleve drejtuese deri në nivele të komisariate, me besimin e madh që përmes policisë, mbështesim qytetarët tanë”, tha Hoxha.

 

Fraksion.com