VOA: Bomba molotovë ndaj institucioneve dhe selisë së PS-së gjatë protestës së opozitës
Në Shqipëri, protesta e paralajmëruar e opozitës u shenjua nga bomba të shumta molotov të hedhura ndaj institucioneve shtetërore, selisë së Partisë Socialiste, si dhe nga dëmtimi i stacioneve të autobusëve dhe vendekspozimeve të materialeve publicitare, që ndodheshin përgjatë rrugës që ndoqi marshimi i drejtuesve të opozitës për afro tre orë në zonën qendrore të Tiranës. Të paktën 10 punonjës policie rezultojnë të jenë lënduar, ndërkohë që në pavionin e djegieve, kanë përfunduar 2 qytetarë. Në fund të protestës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, deklaroi se mbrëmja e së hënës “ishte vetëm hapi i parë i mosbindjes civile”. Ndërsa ministri i Brendshëm Ervin Hoxha foli për “një protestë të dhunshme” dhe “reagim proporcional të policisë”.
Tensionet nisën që me mbërritjen e drejtuesve të opozitës pranë selisë së qeverisë, kur ata u përplasën fizikisht me punonjësit e policisë të cilët kishin formuar një gardh të dendur përpara godinës. Menjëherë më pas, drejt kryeministrisë fluturuan bomba të shumta molotov. Policia përdori lëndë lotsjellëse për të shpërndarë protestuesit.
Qëndrimi përpara kryeministrisë nuk zgjati shumë. Marshimi u spostua përgjatë unazës për të marrë më pas kthesën drejt rrugës që të çonte në selinë e Partisë Socialiste. Ecja e drejtuesve të opozitës u shoqërua me djegien e një stacioni autobusi, më pas të disa kazanëve të mbeturinave dhe me shkatërrimin e vendekspozimeve të materialeve publicitare nga grupe të rinjsh dhe fëmijësh.
Mbërritja përballë selisë së Partisë Socialiste pasoi me një breshëri bombash molotov drejt godinës, ndërsa një banderolë e madhe me një foto të kryetarit dhe kryeministrit socialist Edi Rama, e vendosur në fasadën hyrëse, mori flakë. Policia ndërhyri për të shuar zjarrin si dhe përdori sërish gazin lotsjellës.
njëjti skenar u përsërit pak më pas, disa qindra metra më larg, pranë ndërtesës së ministrisë së Brendshme e pak minuta më vonë dhe drejt Bashkisë së Tiranës, ku policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të larguar protestuesit.
Prej këtej marshimi vazhdoi përgjatë unazës së brendshme të kryeqytetit, ku sërish grupet e të rinjve dhe fëmijëve vijuan me dëmtimet e reklamave apo koshave të mbeturinave. Kur ishin pranë hyrjes së parlamentit, policia nuk priti afrimin e protestuesve, por lëshoi gazin lotsjellës, duke mbuluar me një re të dendur zonën.
Marshimi i përfaqësuesve të opozitës, të ndjekur nga disa qindra mbështetës, vijoi në një tjetër drejtim, për t’u kthyer rreth orës 21.30 në selinë e Partisë Demokratike. “Sot ishte dita e parë që mosbindja civile zbriti në Tiranë. Rregjimi i tërbuar sot mori një mesazh: jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, qeverisë teknike, ndryshe nuk do të ketë paqe asnjëherë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Gjatë protestës, të paktën 10 policë u lënduan, sipas një komunikate zyrtare. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, vizitoi tre prej tyre të cilët ishin dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Ai foli për një “protestë të dhunshme”, ndërsa deklaroi se “policia u përgjigj proporcionalisht sipas ligjit”. Ai bëri të ditur se po evidentohen të gjithë personat e përfshirë në zjarrvënie dhe dëmtime të pronës, për t’u referuar më pas në prokurori.
Fraksion.com