Kosova heq pjesërisht ndalesën e mallrave nga Serbia
Kurti: Kemi marrë vetëm masa sigurie
Kurti theksoi, se masa kufizuese ndaj mallrave serbe nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë. “Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare. Ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”, tha Kurti.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, nga ana e tij, tha se vendimi i Kosovës për heqje të ndalesës për mallrat e Serbisë në Merdare, e ka larguar tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë dhe se mbështet çdo veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë. “Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë”, tha Vuçeviq. Kosova e vendosi masën e sigurisë ndaj mallrave serbe në qershor të vitit 2023, pasi policia e Serbisë arrestoi në vijën kufitare tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët më pas u lanë të lirë pas një presioni ndërkombëtar.
Reagime pozitive pas vendimit të Kosovës
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kryesore kufitare me Serbinë në Merdare.”Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, shkroi Rohde në X.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e mirëpriti vendimin e qeverisë duke thënë se “ndalesa e importit të mallrave nga Serbia kishte ndikim negativ në interesat tregtare amerikane dhe evropiane, si dhe ishte në kundërshtim me frymën e CEFTA-s”.
Me heqjen e masave të sigurisë për mallrat serbe, Kosovës i është i është ofruar përfaqësim në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë dhe jo siç ishte deri tash përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Procesi i Berlinit, këtë vit shënon 10-vjetorin e themelimit. Ky proces ishte një nismë e vitit 2014 e iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, që synonte thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Takimi i radhës i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor. /DW
Fraksion.com