Gjykata e Lartë refuzon të shqyrtojë ankesën e Martin Shkrelit
Gjykata e Lartë refuzoi të marrë në shqyrtin apelimin e ish-drejtorit ekzekutiv të kompanisë farmaceutike ‘Turing Pharmaceuticals’, Martin Shkreli, për gjobën prej 64.6 milionë dollarësh, për shkak të ngritjes artificiale të çmimit të një ilaçi që shpëton jetë, me më shumë se 4,000 për qind.
Në vitin 2022 gjykatësja e Manhatanit Denise Cote i vendosi Shkrelit një gjobë të barabartë me fitimet që ai dhe një prej ish-kompanive të tij siguruan për shkak të rritjes së çmimit të ilaçit ‘Daraprim’ në vitin 2015. Gjykatësja Cote përmendte taktikat “e pashpirta dhe shtrënguese” të Martin Shkrelit në monopolizimin e ilaçit dhe mbajtjen e rivalëve jashtë tregut.
Po kështu gjykatësja vendosi që ai të ndalohet përjetësisht që të operojë në industrinë e ilaçeve, një vendim që Shkreli nuk e apeloi në Gjykatën e Lartë.
41 vjeçari, Shkreli fitoi famë kur si shef ekzekutiv i ‘Turing Pharmaceuticals”, ngriti çmimin e ilaçit ‘Daraprim’ brenda natës në 750 dollarë për tabletë, nga vetëm 17,50 dollarë që kushtonte një e tillë.
‘Daraprim’ përdoret për të trajtuar një infeksion parazitar të quajtur toksoplazmozë, përfshirë dhe personat me SIDË.
Më vonë Shkreli kreu dhe një dënim me katër vjet burg në vitin 2017 për mashtrim dhe komplot për të mashtruar investitorët e një prodhuesi tjetër ilaçesh.
Në ankesën drejtuar Gjykatës së Lartë Shkreli pretendonte se nuk duhej të paguante të gjithë shumën prej 64.6 milionë dollarësh. Ai tha se ishte e padrejtë të hiqte dorë nga fitimet që nuk i kishte marrë, apo që nuk i kontrollte personalisht dhe se dy gjykata të tjera federale të apelit kishin kufizuar përgjegjësinë e tij për përfitime personale.
Që nga lirimi i tij nga burgu në maj 2022, Shkreli ka punuar si prodhues programesh kompjuterike dhe si konsulent për një zyrë avokatie.
Fraksion.com