Dha dorëheqjen, një vit para zgjedhjeve, goditje për socialdemokratët
Vetëm rrethi më i ngushtë u informua, ndërsa dorëheqja e Kevin Kühnert, sekretarit të përgjithshëm të partisë nga viti 2021, ishte një surprizë për shumicën e socialdemokratëve. Kühnert njoftoi gjithashtu se nuk do të kandidojë për Bundestagnë zgjedhjet e 2025-ës. Në një letër drejtuar anëtarëve të partisë që u vu në dispozicion edhe mediave, ky politikan 35-vjeçar nga Berlini shpjegoi hapin e tij me gjendjen shëndetësore.
“Për të fituar zgjedhjet nevojitet angazhim i plotë i të gjithë Partisë Socialdemokrate”, e në muajt në vijim duhen “përpjekje të mëdha” për të “kompensuar diferencën dhe vetëbesimin e ulët, të cilat janë të dukshme në mbështetjen e ulët në sondazhe”.
Kühnert tha se pritshmëritë janë të mëdha, e këto pritshmëri ai nuk mund t’i përmbushë në zgjedhjet në Gjermani. “Energjia që më nevojitet për detyrën time dhe për fushatën parazgjedhore, nuk mund të rikuperohet në kohën e duhur. Prandaj po marr këtë vendim”.
Kühnert: Për muaj të tërë nën presion të madh
Kühnert nuk tha se çfarë ishte sëmundja e tij. Por ai ishte nën presion politik për muaj të tërë. Sipas sondazheve, socialdemokratët kanë vetëm rreth 16 për qind të mbështetjes. Në zgjedhjet në Tyringi dhe Saksoni, socialdemokratët patën rezultate historikisht të këqija. Madje për disa kohë kishin frikë se nuk do ta kalonin fare cenzusin dhe nuk do të futen në parlament. Vetëm në Brandenburg arritën të përmirësojnë ndjeshëm rezultatin.
Pas zgjedhjeve në Brandenburg, kryetarët e të Gjelbërve, Ricarda Lang dhe Omid Nuripour dhanë dorëheqjen. Që atëherë Kühnert është përballur vazhdimisht me pyetjen nëse edhe ai do të marrë përgjegjësinë për rezultatet e këqija në zgjedhjet e landeve. Ai u përgjigj se këtë pyetje po ia bënte vetes dhe se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse kjo do t’i ndihmonte socialdemokratët.
Në një intervistë, ai së fundmi theksoi se kryetarët e partisë Lars Klingbeil dhe Saskia Esken së bashku me të janë një “ekip i koordinuar” që “punon në harmoni dhe merr vendime të përbashkëta”.
Miqësia me Klingbeil dhe Esken
Kühnert informoi Klingbeil dhe Esken për vendimin e tij disa ditë më parë. Të dy mbetën të befasuar, por kishin plot mirëkuptim dhe respekt për kolegun e tyre. Klingbeil tha në Berlin se ai e dinte se vendimi nuk ishte i lehtë për Kühnert, por se ishte hapi i duhur. “Tani bëhet fjalë për Kevinin dhe shëndetin e tij”. Ai kërkoi që, si miq, të gjithë ta mbështesin tani në rrugën e tij.
Klingbeil dhe Esken i dhanë mirënjohje Kühnertit për punën e tij. Klingbeil tha se Kühnert kontribuoi ndjeshëm në stabilitetin e partisë, ndërsa Esken e quajti atë “një shtyllë të rëndësishme të SPD” dhe shtoi se rruga e SPD drjet fitores është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Kühnert.
Në vitin 2017, Kevin Kühnert u bë kryetar i grupit të të rinjve socialdemokratë që mbështeti Esken në kandidaturën e saj për udhëheqjen e partisë.
Edhe në vitin 2019, Kühnert mbështeti Esken në garën e saj kundër Olaf Scholz. Para kësaj ai bëri gjithçka për të shmangur një tjetër “koalicion të madh” të socialdemokratëve me kristiandemokratët. Esken tha se sëmundja është një çështje private.
“Prandaj po ju kërkoj nga zemra që t’i jepni hapësirë dhe kohë për t’u shëruar”, u bëri thirrje ajo gazetarëve. Klingbeil foli për punën rraskapitëse që politika i imponon njeriut: “Të gjithë e dimë se sa kërkuese dhe sfiduese është puna politike. Çdo ditë angazhohemi për socialdemokratët, çdo ditë luftojmë dhe investojmë shumë energji dhe pasion në punën tonë, edhe në kohët kur hasim në shumë rezistencë”. Përfaqësuesit e partive të tjera gjithashtu i uruan Kühnnert një shërim të shpejtë.
Matthias Mirsch si pasardhës i Kühnert
Deri të hënën në mbrëmje, organet e partisë u mblodhën dhe ranë dakord që pasardhësi i Kühnert të ishte Matithias Mirsch (55). Anëtari i socialdemokratëve në Bundestag dhe nënkryetari i grupit parlamentar i përket krahut të majtë të partisë, ashtu si edhe Kühnert. Ai fillimisht do të marrë detyrën si ushtrues detyre, sepse procesi zgjedhor do të organizohet në kongresin e partisë të planifikuar për në qershor të vitit të ardhshëm.
Sekretari i ri i Përgjithshëm përballet me sfida të mëdha. Sekretari i përgjithshëm është një lloj menaxheri partie. Ai duhet të jetë i aftë në të gjitha fushat tematike politike dhe të përfaqësojë partinë në publik. Por në të njëjtën kohë ka edhe detyra organizative, drejton selinë e partisë, organizon kongrese partiake dhe fushata zgjedhore.
Nuk ka mbetur shumë kohë deri në zgjedhjet e vitit 2025, ndërkohë që socialdemokratët kanë pasur së fundi pak mbështetje në sondazhe. Kristiandemokratët e opozitës janë aktualisht pothuajse dy herë më të fortë se socialdemokratët.
Nuk përjashtohen zgjedhjet e parakohshme
Ky post është me rëndësi, sepse në Gjermani nuk përjashtohet as mundësia që koalicioni i përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe itliberalët të shpërbëhet para kohe, në veçanti për shkak të mosmarrëveshjeve rreth buxhetit por edhe rreth pensioneve dhe çështje të tjera. Zgjedhet e parakohshme nuk përjashtohen, e nëse diçka e tillë ndodh, socialdemokratët do të kenë pak kohë për të organizuar një fushatë elektorale.
Ka mundësi që vetë kreu i partisë Klingbeil të jetë më i përfshirë në strategjinë e fushatës parazgjedhore. Ai ishte paraardhësi i Kühnert si sekretar i përgjithshëm dhe organizoi fushatën zgjedhore që i solli Olaf Scholzit postin e kancelarit. Klingbeil tha në Berlin: “Unë jam plotësisht i bindur se suksesi mund të organizohet”./DW
Fraksion.com