AktualitetPolitikëTë fundit

CDU gjermane dënon dhunën në protestën e PD, Krichbaum: Ekziston dyshimi se Berisha po i nxit, të distancohet

Zëdhënësi për çështjet evropiane të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Gunther Krichbaum në një reagimlidhur me protestën e organizuar nga Partia Demokratike të hënën, dënoi dhunën e ushtruar nga protestuesit, të cilët u përplasën me policinë, hodhën kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të institucioneve, si dhe shkaktuan dëme në Tiranë.

Ai thekson se protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një vend që aspiron familjen evropiane. Krichbaun për këtë ka kërkuar që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha të distancohet nga protestat e dhunshme.

“Demonstratat paqësore kundër veprimeve të një qeverie janë normalitet në një demokraci. Megjithatë, aktet e dhunshme janë plotësisht të papranueshme dhe tërësisht të padenja për një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nëse Berisha ende ka një fije besueshmërie, ai duhet të distancohet menjëherë nga ky lloj proteste dhe të përjashtojë dhunuesit nga partia. Fatkeqësisht, ekziston dyshimi se Berisha po i nxit këto protesta”, tha Krichbaun.

Sipas tij, “në të kaluarën, PD ka qenë një parti që mbështetej në vlerat evropiane. Për fat të keq, është larguar gjithnjë e më shumë nga këto vlera. Me të drejtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe grupi parlamentar i CDU/CSU në Bundestag mbajnë distancë nga kjo parti opozitare dhe veçanërisht nga kryetari i saj, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpiak”.

“Kjo është arsyeja pse ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse partia ka fuqinë për t’u rinovuar,” tha Krichbaum.

“Ajo ka nevojë për një figurë të ndershme në krye. Ashtu siç një demokraci ka nevojë për një qeveri të fortë, ajo ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Përpjekja për të paraqitur konceptet dhe argumentet më të mira duhet gjithmonë të ndodhë pa dhunë.

Fakti që kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, është në masë të madhe përgjegjësi e zotit Berisha. Ai nuk duhet të paraqitet si një viktimë e një procesi të supozuar të motivuar politikisht. SPAK-u, që e ka vendosur atë në arrest shtëpiak, është përtej çdo dyshimi. Në fund të fundit, SPAK-u u krijua nën presionin e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave, Berisha do të ishte vendosur në paraburgim në çdo shtet të BE-së dhe jo në një arrest shtëpiak të rehatshëm”, përfundoi zëdhënësi për çështjet evropiane të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Gunther Krichbaum.

Fraksion.com