AktualitetTë fundit

Zbardhen planet e Ivanka Trump dhe Jared Kushner për “parajsën” në jugun e Shqipërisë

E përditshmja amerikane Wall Street Journal ka publikuar detaje të reja lidhur me atë që e etiketon si “aventura” e çiftit Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Ballkan, mbi të gjitha me një investim të majmë në ishullin e Sazanit.

Prej takimeve me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, e deri te detajet përmbyllëse të megaprojetit, WSJ ka hedhur dritë në publikim, për gjithçka ka të bëjë me projektin.

Shkrimi i plotë i WSJ:

ZVËRNEC, Shqipëri — Muaj pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në 2021, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kaluan një javë duke shijuar plazhet e Shqipërisë. Ata u ngjitën në shkallët e gurta të një teatri 2200-vjeçar të Butrintit, darkuan në një jaht me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe u “fiksuan” nga vizita në ishullin e vetëm të Shqipërisë. Aq shumë e deshën, sa menduan se do të ishte destinacioni i përsosur për të ndërtuar një hotel luksoz.

Udhëtimi në Shqipëri, u la aq shumë përshtypje, saqë kur Kushner u takua me Ramën disa muaj më vonë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i bëri një propozim. Gjatë një kafeje, Kushner tha se ishte “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”. Këto detaje i ndau kryeministri Edi Rama, i cili shtoi: Kushner më pyeti nëse do të kishte mundësi që të investonte në Shqipëri.

Ishulli është i mbrojtur ekologjikisht. Por një ligj i ri shqiptar lejon ndërtimin e hoteleve, për sa kohë që ato janë të paktën pesë yje.

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku shërbeu si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij, presidentit të atëhershëm Donald Trump, Kushner ka ndërtuar një perandori të re biznesi duke u anuar në lidhjet gjeopolitike. Kushner u mbështet në lidhjet me monarkët arabë për të mbledhur pjesën më të madhe të parave në fondin e tij privat prej 3.1 miliardë dollarësh. Kjo lëvizje ka ngjallur kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres.

Në Ballkan, Kushner iu drejtua liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë për të zhvilluar biznesin e tij me prona të paluajtshme në toka publike pa pasur nevojë të kalonte nëpër ankande. Në Serbi, ai po ndërton mbi një memorial që qeveria thotë se do t’u kushtohej të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s. Mbledhja e fondeve të Kushnerit dhe marrëveshjet e pronave me vendet e tjera, po nxisin frikën se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes Trump mund të përfitojnë duke kultivuar marrëdhënie me liderët botërorë.

Por për Kushner nuk është kështu.

“Unë nuk mendoj se dikush ka thënë ndonjëherë se kam thyer ndonjë rregull ose nuk kam ndjekur ligjet e vendeve se ku dua të investoj, apo se kam qenë shumë skrupuloz duke e bërë plane. Kam mësuar gjatë kohës sime në qeveri se nëse e kaloj kohën time duke u përpjekur të jetoj në një mënyrë që zbut shqetësimet e kaq shumë njerëzve që nuk i respektoj, të cilët janë të motivuar nga politikat partiake, atëherë thjesht do paralizohesha.”

I pyetur se nëse Trump rikthehet në detyrë, a do ketë komplikime, Kushner u shfaq edhe vetë i paqartë: Ndoshta. Ndoshta do të ketë më shumë gjykim mbi mua sot sesa një vit më parë.

Por, ai gjithashtu tha nuk po distancohet nga fushata presidenciale. Nga zyra e tij në Majami, Kushner luan një rol informal si këshilltar.

“Jam aty për të ndihmuar dhe këshilluar Trump dhe ekipin e tij!”

Ai gjithashtu pranon çdo thirrje për të dëshmuar nga senatorët dhe kongresmenët. Por shton se nuk e ka në plan të rikthehet në qeveri.

Të njëjtën gjë ka thënë edhe vajza 42-vjeçare e ish-presidentit, Ivanka Trump.

Jeta në Miami

Pasi Trump u largua nga detyra, Kushner dhe Ivanka Trump ishin të etur për të filluar një kapitull tjetër në jetën e tyre. Çifti dhe tre fëmijët e tyre – 8, 10 dhe 13 vjeç – u larguan shpejt në Miami. Ata morën me qira një apartament prej 7,000 metrash katrorë ndërsa rinovuan një shtëpi prej 24 milionë dollarëshnë  Indian Creek Island, një fshat hiper-ekskluziv në gjirin Biscayne, ku afërsisht tre duzina shtëpi formojnë një perimetër në formë patkoi rreth një fushe golfi. Tom Brady dhe Jeff Bezos janë fqinjët e çiftit.

Familja i kalon fundjavat kryesisht jashtë, duke bërë ski dhe shëtitje me varkë në gjirin që rrethon shtëpinë e tyre. Sa i përket karrierës, ndryshe nga i shoqi, Ivanka Trump zgjodhi që të mbante një profil më të ulët biznesi sesa bëri para 2017-ës. Ajo nuk bën më marrëveshjet e markës ose zhvillimit të hotelit Trump. Ajo nuk është e përfshirë shumë as me Affinity, e cila  është në pronësi të plotë të Kushner-it.

Stafi dhe këshilltarët e Affinity përfshijnë Richard Grenell, i cili mbante poste në administratën Trump, duke përfshirë atë të ambasadorit në Gjermani dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Kevin Hassett, ish-këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Lista përmban gjithashtu ish-zyrtarin e lartë të sigurisë kombëtare të Lindjes së Mesme, Miguel Correa.

Edhe Kushner pasi la Shtëpinë e Bardhë iu rikthyer dashurisë së parë; investimit në pasuritë e paluajtshme, duke nisur nga Ballkani Perëndimor. Kushner pa një mundësi për investim. Çmimet e apartamenteve po lulëzojnë në Serbi, ndërkohë që së fundmi turistët janë vërshuar masivisht në plazhet me kosto të ulët të Shqipërisë.

Affinity synon të krijojë mijëra njësi hotelesh dhe apartamentesh vetëm disa minuta nga një aeroporti të ri ndërkombëtar që po ndërtohet pranë qytetit të Vlorës.

Marrëveshja me Serbinë

Grenell, i cili si i dërguari i Trumpit për Ballkanin ishte i afërt me presidentin serb, kishte kohë që kishte parë objektin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendrën historike të qytetit të Beogradit, të cilin qeveria ka kërkuar ta rizhvillojë. Por ishte e ndërlikuar.

Vendi u bombardua nga NATO në vitin 1999 në mes të një përpjekjeje për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në Kosovë. Grenell, i etur për të sjellë investime amerikane në rajon, i telefonoi Kushnerit disa muaj pasi Trump la detyrën për t’u përpjekur ta “shiste” idenë e tij.

Kushner dërgoi një punonjës, i cili ishte “i mahnitur” nga gjallëria e Beogradit. Në maj, Serbia tha se ra dakord për të dhënë godinën me qera për investimet e Kushner, i cili do “hedhë” 500 milionë dollarë.

Si kusht për rizhvillimin e një vendi në Beograd që NATO bombardoi në 1999, Affinity do të duhej të ndërtonte një memorial për ato që qeveria serbe i quan viktima të agresionit të aleancës euro-atlantike. Ky inkuadrim ka ngjallur polemika.

Clark, Wyden dhe amerikanë të tjerë kanë kritikuar idenë. Nacionalistët në qeverinë serbe e kanë kundërshtuan planin, sepse e konsiderojnë godinën një “vend të shenjtë”. Por është e vendosur! Qeveria serbe tha se marrëveshja do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në vend.

Një Mesdhe i ri

Në të njëjtën kohë që planet e Beogradit po ecnin mirë , Kushner po vështronte bregdetin shqiptar. Pas pushimeve të tij në jaht në 2021 dhe kafesë së tij në Davos me Ramën, ai zhvilloi pamjet e tij në dy pika ideale. Zgjodhi Sazanin – një ishull malor dhe një tokë private në gadishullin e Zvërnecit, aty ku dynden flamingot.

Sazani do të jetë më ekskluziv. Ishte ideja e Ivanka Trump për të futur “Aman”. Marka menaxhon resorte ultra-ekskluzive me dhoma që kanë tendencë të kushtojnë mbi 1000 dollarë nata. Vlad Doronin, një miliarder me origjinë sovjetike që drejton Aman, fillimisht u befasua nga ideja, por në fund u nënshkrua pasi dërgoi dikë për të vëzhguar vendndodhjen e ishullit. E kontantuar nga media amerikane, zëdhënsja e Aman nuk pranoi që të komentonte lidhur me planet e ndërtimit.

Aktualisht qeveria shqiptare po rishikon planet, por Rama ka qenë mbështetës i projektit që në fillim. Ai e quan Kushnerin mik dhe të dy shkëmbejnë mesazhe në WhatsApp.

“Nëse ky investim ndodh, do jetë një xhevahir në kurorën e Mesdheut”,-shtoi Rama..

 

Fraksion.com