Trump kthehet për fushatë në vendin ku iu bë atentati, Harris viziton zonat e prekura nga uragani Helene
Donald Trump u kthye të shtunën në Butler të Pensilvanisë ku i shpëtoi një atentati në korrik, duke mbajtur një tubim të madh përpara një turme masive, në një nga shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
Fjalët e para të ish-presidentit dhe kandidatit republikan ishin “siç po thoja”, për të krijuar përshtypjen se po vazhdonte aty ku ishte ndërprerë më 13 korrik, kur një person i armatosur u përpoq ta vriste dhe e goditi në vesh.
Ekipi i fushatës të zotit Trump kishte bërë përpjekjet maksimale për ta vënë theksin tek simbolika e kthimit të ish-presidentit në Butler, në mkë moment kritik kur kanë mbetur vetëm 30 ditë para ditë së zgjedhjeve dhe ndërkohë votimet e hershme janë hapur në disa shtete në garën mes tij dhe rivales demokrate, Nënpresidentes Kamala Harris.
Në tubim ishte i pranishëm edhe miliarderi Elon Musk, i cili foli për herë të parë në një aktivitet fushate të zotit Trump. “Ne kemi luftuar së bashku. Ne kemi qëndruar së bashku. Kemi ecur përpara së bashku,” tha zoti Trump. “Dhe pikërisht këtu në Pensilvani, ne u gjakosëm së bashku. Derdhëm gjak”, tha ai.
Ish-Presidentit Trump i duhet të rrisë pjesëmarrjen e votuesve në bastionet konservatore si qarku Butler, një komunitet kryesisht i bardhë, rural dhe periferik, për të shtuar gjasat për fitore në shtetin e Pensilvanisë në nëntor.
Edhe demokratja Harris ka bërë fushatë intensive në Pensilvani, si pjesë përpjekjeve për të bërë për vete shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.
Duke qëndruar pas xhamit mbrojtës që tani përdoret kur ai mban tubime fushate në ambjente të hapura, zoti Trump e quajti “një përbindësh të tmerrshëm” dhe tha se ai nuk ia doli falë “dorës së fatit dhe hirit të Zotit”.
Masat shtesë të sigurisë ishin të dukshme, me forca të armatosura të rendit të veshur me uniforma kamuflazhi në çati.
Një nga të ftuarit më të shumëpritur të tubimit ishte zoti Musk, i cili e prezantoi zotin Trump duke thënë se ai kishte “shpëtuar fjalën e lirë”.
“Presidenti Trump duhet të fitojë për të mbrojtur Kushtetutën. Ai duhet të fitojë për të ruajtur demokracinë në Amerikë”, tha zoti Musk, i cili shprehu mbështetjen e tij për kandidaturën e ish-presidentit pas atentatit.
Më herët të shtunën, kandidati republikan për nënpresident, senatori nga Ohajos, JD Vance, u ngjit në skenë dhe reflektoi mbi ngjarjet e asaj dite, ndërsa kritikoi demokratët se e kanë quajtur zotin Trump “një kërcënim për demokracinë”, duke thënë se kjo lloj gjuhe është “provokuese”.
“I dëgjuat të shtënat. E patë gjakun. Të gjithë kishim frikë se mund të ndodhte më e keqja. Por ju e dinit se gjithçka do të ishte në rregull kur Presidenti Trump ngriti grushtin lart në ajër dhe bërtiti: “Luftoni, luftoni!”, tha zoti Vance. “Ajo që ndodhi ishte një mrekulli e vërtetë.”
Kamala Harris viziton Karolinën e Veriut
Ndërkohë kandidatja demokrate Kamala Harris vizitoi të shtunën Karolinën e Veriut, një tjetër shtet kritik, dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme federale për pasojat uraganit Helene që ka shkaktuar pasoja shkatërrimtare në këtë zonë fatkeqësie natyrore.
Nënpresidentja ishte në Charlotte një ditë pas një vizite në Karolinën e Veriut nga zoti Trump, i cili ka akuzuar qeverinë federale për masa të pamjaftueshme në përgjigjen ndaj katastrofës.
Zonja Harris premtoi se ndihma federale do të vazhdojë pa ndërprerje.
Më herët gjatë javës, ajo vizitoi Xhorxhian, ku ndihmoi në shpërndarjen e ushqimeve, vizitoi zonat e dëmtuara dhe ngushëlloi familjet e goditura rëndë nga stuhia. Mbi 200 vetë kanë humbur jetën nga uragani Helene.
Kandidati për nënpresident Tim Walz po bën fushatë në shtetin e tij të Minesotës.
Kandidatja demokrate planifikon disa intervista me mediat këtë javë, një gjë që nuk e ka bërë shpesh, dhe do ta vërë theksin tek mobilizimi për pjesëmarrje në zgjedhje./VOA
Fraksion.com