“S’ka qeveri teknike”, ministri Balla: Horrin ta bëjnë diku tjetër. Në zgjedhjet 2025 synojmë mbi 84 mandate
Ministri Taulant Balla, ka dënuar ashpër skenarët e kaosit dhe dhunës së Partisë Demokratike në Kuvend, të cilët dogjën edhe karriget. ‘Horra’, i quan ministri Balla disa prej deputetëve të cilët sot organizuan edhe përplasjet më të ashpra në tentativë për të mos lejuar socialistët të futen në Kuvend.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ministri Balla tha se djegia e karrigeve është një akt që tregon se ke djegur besimin e deputetëve që i kanë besuar mandatin. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin thotë për Report Tv se shqiptarët nuk e duan dhunën dhe sipas tij kjo rrugë opozitës nuk do t’i japë asnjë rezultat ndryshe.
“Kjo që keni parë sot nga kjo forcë politike është bërë edhe para 1 viti, ishim në të njëjtën situatë, edhe para 2-3 vitesh po ashtu, në shkurt 2019 u dogjën mandatet, ka pasur ngjarje të tilla në Kuvend, nga e njëjta forcë që mendon se duke përsëritur të njëjtën marrëzi do marrë rezultat ndryshe. Shqiptarët nuk e duan dhunën, madje e kanë dënuar ashpër dhunën sa herë iu është dhënë mundësia me votë. Nëse do kisha mundësi t’iu jepja një këshillë deputetëve të opozitës, do ishte thirrja për të hequr dorë nga kjo qasje, se në demokraci pushteti fitohet përmes votës.
Kur ti djeg mandatet, kur ti djeg karrigen e deputetit, ti ke djegur besimin që të kanë dhënë qytetarët,. Ato karriget nuk janë tonat, të është dhënë me kontratë nga populli. Ti vjen në Kuvend bën horrin te dera e Kuvendit, disa prej tyre s’kanë pasur ndonjëherë lidhje me kuvendin, horrin mund të shkosh ta bësh diku gjetkë. Brenda grupit të PD ka edhe njerëz që gëzoj respekt, në mendjet e tyre s’do donin fare të ishin pjesë e kësaj sjellje. Kjo nuk është një ngjarje që po ndodh për herë të parë. E rëndë që prej ’91, PD vazhdon të jetë peng i një personi, një person që nuk heq dorë nga e njëjta marrëzi, mendon se do japë rezultat ndryshe, nuk jep rezultat ndryshe”, tha Balla në Report Tv.
Për Ballën, PD është një parti e marrë peng dhe i shërben interesit të familjes Berisha.
“Është një parti në interes të një familje të caktuar, ata që vrapojnë për të folur në emër të saj, kanë interesin duke bërë servilin e radhës ndaj Berishës, duke qenë se është mbartësi i vulës t’u japë mundësinë të jenë pjesë e listës së ardhshme në Kuvend”, u shpreh Balla në Report Tv.
Sa i takon synimit të PS për zgjedhjet parlamentare 2025, Balla thotë se tashmë kërkojnë shumicën e cilësuar në Kuvend (pra minimumi 84 mandate). Për ministrin, mandati i 4 i qeverisjes është i domosdoshëm për të konsoliduar progresin e arritur, por edhe për të vijuar me punën për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Qytetarët janë gati ti japin PS një mandat më të fortë se secili prej 3 mandateve të tjera që kanë marrë deri tani. Shqiptarët kanë kuptuar që PS ka nevojë të ketë një shumicë të cilësuar për të çuar para reformat. Mandati i 4 do konsolidojë një fitore të madhe të PS”, tha Balla.
Fraksion.com