AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Begaj shpreh ngushëllimet për viktimat nga përmbytjet në Bosnje-Hercegovinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu keqardhjen e tij nëpërmjet një postimi në platformën X për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Bosnje-Hercegovinë.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për viktimat nga përmbytjet dhe disa dhjetëra té zhdukur në krahinën e Jablanicës e disa zona të tjera në Bosnie- Hercegovinë. I shpreh ngushëllime Presidentit Beqirovic dhe familjarëve për humbjet nga kjo fatkeqësi natyrore!

Bashkoj lutjet e mia dhe ato të popullit shqiptar dhe solidarizohemi me qytetarët e dëmtuar rënde nga kjo katastrofë natyrore”, u shpreh Presidenti me anë të një postimi në platformën X.

Bosnje-Hercegovina është përfshirë nga përmbytje të mëdha si pasojë e reshjeve, duke shkaktuar bllokim të rrugëve dhe ndërprerje të komunikimit.

“Deri tani kemi 14 viktima të konfirmuara, pra janë gjetur 14 trupa, fatkeqësisht me tendencë që ky numër tashmë tragjik të rritet”, deklaroi sot Darko Juka, shef i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në Këshillin e Lartë të Shtetit.

Qeveria boshnjake njoftoi ndërkohë se janë raportuar edhe shumë persona të zhdukur.

Përmbytjet e mëdha kanë prekur zonat e qyteteve si Jabllanicë, Kiseljak, Konjic, Fojnica dhe Kreshevë.

Autoritetet njoftojnë se fatkeqësia ka ndikuar edhe në rrjetin e komunikimit celular, duke shkaktuar ndërprerje.

Fraksion.com