AktualitetPolitikëTë fundit

Ngjarja në hyrje të Kuvendit, ministri i Financave: Cenim i demokracisë dhe imazhit të vendit

Ministri i Financave, Petrit Malaj reagoi sot pas incidentit të krijuar në hyrje të godinës së Parlamentit, ku ai u pengua të futej në sallë nga deputetët e opozitës.

Malaj dënoi dhunën e shkaktuar nga deputetë të opozitës, si dhe theksoi se ngjarja përbënte një cenim të demokracisë dhe vlerave të qytetarisë.

“Ngjarja e ndodhur sot në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë është një situatë e paprecedentë, një cenim i rrezikshëm i demokracisë dhe vlerave të qytetarisë, që duhet të prevalojnë mbi të gjithë ne”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.

Malaj tha se Shqipëria po përgatitet të çelë me Bashkimin Europian negociatat mbi kapitujt “Themelorë”, ndaj theksoi ai, kjo situatë e papranueshme, nuk bën gjë tjetër veçse cenon drejtpërdrejtë imazhin e vendit.

“Sot, është koha që të gjithë bashkë të punojmë për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.

Deputetët e opozitës vijuan edhe sot përpjekjet për ndalimin e zhvillimit të seancës plenare në shenjë revolte për burgosjen e deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

Ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste në Tiranë, ditën e hënë.

Fraksion.com