AktualitetPolitikëTë fundit

“Mosbindja civile, rruga e vetme”, Federata e Opozitës takim në selinë e PD, Noka: Opozita është nën një agresion të pandalshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ftoi sot qytetarët që t’i bashkohen opozitës në mosbindje civile, ditën e hënë, në orën 18:00.

Në fjalën e tij në takimin e Federatës së Opozitës me aleatët në selinë e PD, Noka u shpreh se, prej tre vitesh, opozita është në një agresion të pandalshëm.

“Ne jemi këtu përfaqësues të forcave opozitare të këtij vendi, përfaqësues të popullit opozitar që nuk pranon të qeveriset nga krimi, droga, korrupsioni dhe mafia. Ne jemi këtu dhe do flasim në emër të atyre qytetarëve që refuzojnë shpopullimin dhe e konsiderojnë atë projektin më antikombëtar që ka ekzistuar në këtë tokë”, tha Noka.

“Ne jemi këtu për t’i bërë ballë këtyre hordhive të pushtetit, bandave të krimit të organizuar, jemi në emër të opozitarëve dhe qytetarëve të këtij vendi për t’i thanë stop këtij regjimi”, u shpreh më tej Noka.

Noka theksoi se, PD si forca kryesore e opozitës ka vendosur që ditën e hënë me datë 7, në ora 18:00, të thërrasë në Tiranë qytetarët e këtij vendi për të filluar mosbindjen civile, si rruga e vetme që kësaj opozite dhe këtij populli i ka ngelur për të shpëtuar Shqipërinë.

“Kjo betejë nuk bëhet për asnjë individ të veçantë, por për pluralizmin që po vdes, për demokracinë që po merr fund. Kjo betejë bëhet për Shqipërinë. Shqipëria sot është në rrezik më shumë se kurrë. Sot Shqipërisë i kanoset një rrezik më i madh se ai që i kanosej nga diktatura bolshevike”, tha Noka.

Noka u shpreh se, kauza e çdo shqiptari sot është qeveria teknike, për t’i dhënë zgjedhje të lira çdo shqiptari.

“Rrugë tjetër për ne nuk ka. Rruga e vetme është të ngrihemi të gjithë kundër këtij regjimi dhe ne ftojmë sot nga kjo platformë e përbashkët të gjithë qytetarët e këtij vendi që të na bashkohen në mosbindje civile ditën e hënë, në ora 18:00”, theksoi Noka.

Në lidhje me situatën e fundit politike me burgosjen e Salianjit dhe tensionet në Kuvend, Noka tha e opozita është në një agresion të pandalshëm. Noka tha se ,  Rama dhe Xhafaj kërkonin një kurban dhe në ëndrrat e tyre ishte përcaktuar sepse Salianji guxoi që shqiptarëve t’u thoshte të vërtetën për një narkotrafikant të fuqishëm që fshihej as ministrit të brendshëm dhe kryeministrit dhe vijonte trafikun e drogës nga Vlora. Jemi këtu për t’i bërë ballë hordhive të pushtetit. Të hënën më datë 7 ora 18:00 të thërras në Tiranë qytetarët e këtij vendi për të nisur mosbindjen civile si rruga e vetme që kësaj opozite dhe këtij populli për të shpëtuar Shqipërinë, nuk bëhet për asnjë individ të veçantë por për pluralizmin që po vdes, Shqipëria sot është në rrezik më shumë se kurrë.”

 

Fraksion.com