Rama: Spitali Ditor në QSUT me aparaturat më bashkëkohore, shmang fluksin e pacientëve
Hospitalizimi në Spitalin Ditor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konsiderohet një ndihmë e madhe për mjekët dhe pacientët që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionin e shefes së shërbimit të Dermatologjisë në QSUT, Ermira Vasili, e cila nënvizoi përfitimet që sjell krijimi i një strukture të tillë si për pacientët, ashtu edhe për menaxhimin e ngarkesës mes shërbimeve të ndryshme spitalore.
“Me një sipërfaqe prej 3500 metra katrorë, me 60 shtretër dhe mbi 50 mjekë, ambientet e këtij spitali janë të pajisura me aparaturat më bashkëkohore, ku çdo ekzaminim dhe analizë e pacientëve realizohet me cilësi dhe në kohë rekord, duke shmangur fluksin e lëvizjeve të pacientëve në spitalin qendror, por duke lehtësuar kësisoj edhe punën e mjekëve”, u shpreh Rama.
Nga ana e saj, Vasili shpjegoi se si funksionon Spitali Ditor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Ka raste kur pacientët vijnë nga urgjenca dhe kanë nevojë për ndjekje 24-orëshe dhe më pas mund të përmirësohen e shkojnë në shtëpi, ose në të kundërt, nëse gjatë ndjekjes nuk kanë përmirësimet e duhura ne mund t’i transferojmë te shërbimet përkatëse”, tha ajo.
Doktoresha theksoi se spitali ka dhoma të mikrokirurgjisë të pajisura me të gjitha aparaturat dhe mjetet që duhen për të bërë një biopsi në mënyrën më dinjitoze.
“Brenda 24 orëve pacienti vjen, hapet një kartelë, bëhet biopsia. Është një ndihmesë shumë e madhe dhe shumë e mirë për të gjitha shërbimet”, tha Vasili.
Fraksion.com