AktualitetTë fundit

“Njëri i pickuar nga gjarpri”, 8 turistë shpëtohen në majën e Murgës

Policia e Pukës u ka ardhur në ndihmë 8 turistëve nga Hollanda të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës në Pukë. Njëri nga turistët raportohet se ishte pickuar nga gjarpri.

Policia e  Shkodrës njofton se, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Pukë, së bashku me Ekipin e zjarrfikësve të Bashkisë Pukë, u nisën në drejtim të zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.

Sipas policisë, grupi i Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, së bashku me një ekip mjekësor, shkuan në ndihmë turistit të lënduar nga pickimi i gjarprit, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e pjesës tjetër të grupit. Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë dhe ekipin e MZSH Pukë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë.

 

Fraksion.com