Hezbollahu konfirmon se lideri i tij, Nasrallah u vra nga sulmet izraelite
Hezbollahu ka konfirmuar të shtunën se lideri i tij, Hassan Nasrallah, është vrarë gjatë sulmeve të mëdha izraelite në Bejrut të premten.
“Sayyed Hassan Nsarallah, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, u është bashkuar bashkëluftëtarëve të vet të mëdhenj dhe martirë, të cilët i udhëhoqi për rreth 30 vjet”, tha Hezbollahu në një komunikatë të shtunën.
Hezbollahu është zotuar se do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit, pavarësisht vdekjes së liderit.
Më herët të shtunën, ushtria izraelite tha se e ka vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit libanez të shpallur ogranizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, gjatë një sulmi në Bejrut të premten.
Ushtria tha se e kreu një sulm ajror preciz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në një komunikatë në X se Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe një numër komandantësh të tjerë janë vrarë.
“Mesazhi është i qartë: Askush që kërcënon qytetarët e Izraelit në veri, në jug dhe nga largësia nuk mund të na ikë”, tha ai.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e postuan një mesazh në X, ku thanë se “Hassan Nasrallahu nuk do të jetë më në gjendje ta terrorizojë botën”.
Në njoftimin për vdekjen e Nasrallahut, Hezbollahu i shprehu gjithashtu ngushëllime liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke e pranuar haptazi se ka lidhje të ngushta me Teheranin.
Më herët të shtunën, Khamenei tha se e dënon atë që e quajti “masakër” të Izraelit në Liban, por nuk e përmendi fatin e Nasrallahut.
“Masakra kundër popullit të pambrojtur të Libanit përsëri shpërfaqi mizorinë e qenit të tërbuar sionist, dhe dëshmoi politikën torollake dhe shkurtpamëse të liderëve të regjimit zaptues”, tha Khamenei.
Megjithatë, agjencia e lajmeve Reuters tha se burime të saj thonë se lideri suprem Khamenei është transferuar në një vend të sigurt, me masa të shtuara sigurie.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Nasrallahu e ka udhëhequr Hezbollahun për më shumë se tri dekada. Hezbollahu nuk e ka komentuar ende lajmin për vdekjen e tij.
Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe të shtunën, teksa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt Izraelit.
Mediat izraelite raportuan të shtunën në mëngjes se vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, është vrarë. Hezbollahu nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Djali i Nasrallahut, Hadi, u vra gjatë luftimeve kundër trupave izraelite më 1997.
Ushtria izraelite tha se sulmi i së premtes u krye vetëm ndaj “selisë qendrore” të Hezbollahut, pa e përmendur emrin e Nasrallahut. Një zyrtar i lartë izraelit tha për media se në shënjestër të sulmit ishin komandantët e Hezbollahut.
Norman Roule, analist nga Instituti Kombëtar i Sigurisë me bazë në Uashington, tha se Izraeli e ka dobësuar Hezbollahun aq shumë saqë Qeveria libaneze mund ta shuajë këtë grup.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë zhdukur një brez të tërë të udhëheqësve të Hezbollahut, të cilët marrin me vete një përvojë të madhe kolektive që është e pazëvendësueshme. Në një botë ideale, Qeveria libaneze do ta përdorte këtë moment për të forcuar autoritetin e saj dhe për të larguar nga Libani këtë grup të armatosur. Megjithatë, është ende herët për të thënë nëse kjo do të ndodhë”, tha Roule për Radion Evropa e Lirë.
Të premten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse republika islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin.
Ai gjithashtu tha se “do të vazhdojmë të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona”./REL
Fraksion.com