AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

BE: Rishikoni ligjin për investitorët strategjikë

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato thotë se Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore si korrupsioni apo krimi i organizuar, para se të hyjë në BE.

Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore para se të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, veçanërisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në një takim në Tiranë me gazetarë europianë që mbulojnë çështjet e BE-së,  ambasadori Silvio Gonzato, i kushtoi vëmendje të veçantë reformës në drejtësi. Një ndër temat ku ai vuri theksin, ishte dhe çështja e të drejtës së pronës në vend.

“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit” – tha Gonzato.

Ligji i investimeve strategjike është një ndër ligjet më të debatueshme në Shqipëri. Ndër rastet e hetuara është ai i investitorit strategjik Artan Gaçi, bashkëshortit të deputetes dhe njëkohësisht ish-ministres së Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Gaçi, gjithashtu ish-deputet socialist, u shpall investitor strategjik nga qeveria për ndërtimin e një kompleksi turistik në Himarë, në vlerën rreth 5.5 milionë euro.

Reformat, të domosdoshme

Bashkimi Europian është një ndër investitorët më të mëdhenj të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Duke folur për prioritetet që çojnë drejt anëtarësimit, ambasadori Gonzato u ndal edhe tek rezultatet e SPAK, strukturë të cilën e përshkroi si të ngjashme me “Anti-mafian” italiane.

“Reforma e vitit 2016 ka filluar të japë frytet e saj por në të njëjtën kohë ka krijuar dhe tensione mes palëve, pasi opozita e konsideron SPAK si të njëanshëm dhe si një mjet në duart e qeverisë që përdoret për t’i mbyllur gojën opozitës”. Kjo sipas Gonzatos, çon në rritjen e polarizimit të situatës politike në vend.

Duke folur për reformat në tërësi në të cilat po kalon vendi, ambasadori Gonzato vuri në dukje përmirësimet që po ndodhin brenda një kohe shumë të shkurtër, pavarësisht “trajektores jo-lineare, por me zigzage”. “Ekzistojnë grupe interesi që nuk kanë interes për të parë reformat e ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në vend, të cilat po përparojnë shumë shpejt. Prandaj ne jemi këtu në Tiranë, dhe së bashku me Brukselin i mbajmë këto zigzage brenda kufijve”.

“Shqipëria nuk ka plan B”

Delegacioni i BE-së në Shqipëri është shumë optimist kur vjen puna tek rruga e mbetur për vendin, deri në hapjen përfundimtare të derës së Unionit. Gonzato tha se “Shqipëria nuk ka plan B, dhe rruga Euro-Atlantike është e vetmja që shqiptarët kanë zgjedhur”.

Deklarata e tij u bë dy ditë pasi Shqipëria u nda zyrtarisht nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së. Gonzato deklaroi para gazetarëve se vendi ka kapacitetin e nevojshëm për t’iu bashkuar Malit të Zi në radhën e anëtarësimit.

Në datën 15 tetor, Bashkimi Europian dhe Shqipëria do të mbajnë Konferëncën e dytë Ndërqeveritare në Luksemburg për të diskutuar “grupin e parë të kapitujve”. /DW

 

Fraksion.com