Orban dhe Mickoski mbajnë konferencë të përbashkët qeveritare në Ohër
Para takimit kokë më kokë me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, Orban, qëndroi pranë qendrës së shtypit në hotelin e Ohrit, ku mëngjesin e së premtes nisi një konferencë ndërqeveritare.
Orbani piu kafenë e mëngjesit, kreu biseda telefonike dhe lexoi dokumente në tarracën e hotelit, nga ku më pas u nis drejt vilës së kryeministrisë, e cila ndodhet në afërsi.
Ai e nisi vizitën në Maqedoninë e Veriut të enjten dhe prej atëherë janë zhvilluar disa takime dypalëshe në nivel ministror.
Siç njofton Qeveria, në margjinat e vizitës dyditore është planifikuar një shëtitje në Ohër, një vizitë në kishën e Virgjëreshës Perivlepta, në Teatrin Antik dhe në kompleksin e manastirit të Shën Naumit. Të dy kryeministrat do të vendosin lule para monumentit të shenjtorëve Kiril dhe Metodi në Ohër.
Siguria rreth hotelit është në nivelin më të lartë. Mund të vihet re një prani e madhe e policisë dhe rajoni është mbuluar nga ajri nga një helikopter policie. Ekipet e policisë janë vendosur në të gjithë qytetin.
Hungaria aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.
Më 17 shtator, ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin maqedonas.
Huaja e Bankës Hungareze të Eksport-Importit, një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, do të merret në një këst, afati i shlyerjes së saj është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh, dhe norma e interesit është fikse, 3.25 për qind. Ajo do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.
Opozita maqedonase më pas akuzoi se marrëveshja e kredisë ishte lidhur me dyer të mbyllura, me qëllime tejet të dyshimta dhe se ka sjellë pasoja politike dhe ekonomike, duke rritur jashtëzakonisht shumë borxhin publik.
Por, VMRO-DPMNE thotë se procedura është transparente dhe se për herë të parë ka një kredi për të cilën paraprakisht dihet se për çfarë do të shpenzohet dhe se do t’i ndihmojë komunat dhe ekonominë.
Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Urdhrin iu dorëzua presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ai ishte takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski./REL
Fraksion.com