AktualitetRajoniTë fundit

Barometri: 16% e shqiptarëve kanë bërë plan për të emigruar, 20% e atyre në Kosovë po ashtu

Shifra alarmante janë nxjerrë në pah nga Barometri Ballkanik, sa i takon emigracionit, ku sipas një anketimi, 16% e qytetarëve në Shqipëri kanë bërë plan për të emigruar dhe po ashtu, edhe 20% e shqiptarëve në Kosovë, e kanë një plan të tillë.

Kështu bën me dije publikimi, i cili mbështetet në anketimet e kryera gjatë vitit 2024, sa i takon të gjithë rajonit.

Në bazë të të dhënave të publikuara, Kosova është në situatën më kritike, pasi 20% e qytetarëve atje, kanë bërë një plan emigrimi.

Pyetja përfshinte elementë të tillë si aplikime për migracion të ligjshëm, aplikime për viza pune, gjetjen e një punësimi në vendet e Bashkimit Evropian, apo të tilla veprime të tjera të ngjashme.

Kështu, duke reflektuar se emigracioni masiv vijon të jetë problematik.

Shqipëria ndërkaq paraqitet në kuotën e 16% dhe e ndan të njëjtën pozitë me Maqedoninë e Veriut.

Të dy vendet shfaqin shifra të larta dëshire dhe planesh për emigracion nga qytetarët e tyre dhe qëndrojnë mbi mesataren rajonale, e cila është 13%.

Mali i Zi ndërkaq ndalet në një shifër prej 12% të qytetarëve, të cilët kanë kryer plane emigracioni nga vendi.

Ndërsa, me më së pakti nga rajoni, shihen Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia.

E para, me 8% të qytetarëve, që kanë plan të ikin dhe e dyta, me 6%, duke pasur edhe primatin në rajon.

Serbia po ashtu ka numrin më të lartë të qytetarëve, të cilët nuk e mendojnë ikjen, me 91%.

Bosnja ndjek me 89% në këtë aspekt, Shqipëria me 82%, Maqedonia e Veriut me 80%, Kosova me 76% dhe Mali i Zi me 74. Për këta të fundit, mbetet i lartë numri i personave, të cilët kanë refuzuar të përgjigjen. Ndaj, shifrat mund të jenë të luhatshme sa i takon Malit të Zi.

 

Fraksion.com