Spiropali me drejtues të institucioneve të pavarura: Pandëshkueshmëria është goditur në mënyrë të pakthyeshme
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, dhënia e drejtësisë kapilare për ҫdo qytetar është një mision
Në fjalën e saj në takimin me drejtuesit e institucioneve të pavarura, Spiropali u shpreh se, si ҫdo gjithҫka që ka traditë dhe historik të së shkuarës, edhe ky takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e institucionet e pavarura Kushtetuese dhe të krijuara me ligj ka një shans të ҫmuar të krijojë dobi për të ardhmen.
“Të ҫmuar konsideroj gjithashtu praninë e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me ne në Kuvend për projekte dhe procese të rëndësishme. Ndihmesa e tyre ka qenë gjithmonë e lutur dhe e mirëpritur dhe në këtë moment ata janë edhe pjesë e diskutimeve për një mision të përbashkët, mbrojtjen e interesit publik dhe garantimit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, promovimin e demokracisë, sigurimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë, thellimin e luftës ndaj korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, tha Spiropali.
“Kjo frymë dhe filozofi e të ardhmes e urdhëruar nga ligji i epërm i shtetit shqiptar, Kushtetuta dhe bazë e filozofisë tonë politike dhe orientimi ynë bazik që udhëheq të përditshmen tonë, pavarësisht ndasive tona, në shndërrimin përfundimtar dhe të pakthyeshëm të kësaj copëze të Ballkanit në Evropën e gadishullit”, theksoi kryeparlamentarja.
Kjo tryezë e përbashkët shtoi Spiropali, ka në fokus rolin e mekanizmit për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura Kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe manualin e raportimit vjetor dhe periodik.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, dinamika e zhvillimeve dhe e detyrimeve të proceseve integruese krijon ngutin dhe nevojën për një sinergji më të shpejtë ndërveprimi Kuvend- institucione të pavarura, përtej raportimi periodik vjetor.
“Procesi screening ishte një ushtrim i mirë që evidentoi këtë domosdoshmëri për të parë me vëmendje të shtuar si rekomandimet ashtu dhe detyrat që miratohen përmes rezolutave”, tha ajo.
Kuvendi, nënvizoi Spiropali ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit.
Por, shtoi ajo, “legjitimiteti dhe gjithëpërfshirja janë të lidhura me kontributin dhe bashkëpunimin tuaj me Kuvendin si dhe sa, kur, ҫfarë, në ҫfarë mënyre dhe deri ku? Këto janë disa pyetje relative dhe mjaft delikate përgjigja e të cilave është dinamike. Një bashkëpunim që nuk kalon nga ndikimi dhe një liri që nuk përfshin anarkinë, pavarësinë në vendimmarrje, por që nuk toleron pavarësinë nga ligji.
Nga kjo anë, shtoi Spiropali, mund të pranojmë që nuk kemi trashëguar traditën më të mirë të mundshme historike, ku pushtetet apo dhe institucionet e pavarura ku më shumë e ku më pak, ku më dukshëm e pak më fshehurazi janë konsideruar gjithmonë si zgjatime të pushtetit politik të radhës. Ҫka krijon në pamje të parë një epërsi të këtij pushteti, por godet e dëmton rëndë produktin e përbashkët të punës së tyre.
Spiropali u shpreh se, reforma në drejtësi, frytet e para të institucioneve të drejtësisë, janë shembulli më i mirë se ҫfarë energjie institucionale ҫlirohet kur filozofia e pavarësisë së institucioneve vihet në jetë.
“Pakkush mund të mendonte dikur se një pushtet i konceptuar tërësisht ndryshe, si pushteti gjyqësor, tashmë është pjesë e mekanizmit funksionues kushtetues të ekuilibrit dhe kontrollit duke i dhënë një dinamikë krejt të re të gjithë jetës së shoqërisë shqiptare”, tha Spiropali.
“Ajo ҫfarë ishte dikur e paimagjinueshme, ajo ҫfarë konsiderohej si tabu e paprekshme dhe që bënte të paprekshëm një grusht qytetarësh shqiptarë të veshur me pushtet politik tashmë i përket të kaluarës. Pandëshkueshmëria si kulturë dhe status, si imunitet dhe epërsi të ca të paktëve mbi të gjithë është goditur në mënyrë të pakthyeshme. Ky është gjithashtu shembulli më i qartë sesi Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjet e vendit kanë kryer detyrën, natyrisht të asistuar në mënyrë të paҫmuar nga partnerët tanë”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se dhënia e drejtësisë kapilare për ҫdo qytetar është një mision.
“Është bërë shumë, por ndoshta po aq shumë nevojitet të bëhet për të garantuar procesin e dhënies së drejtësisë në mënyrë kapilare për qytetarin shqiptar kudo, përtej ҫdo dileme dhe në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme. Kjo nuk është thjesht një detyrë ky është një mision, ku si ndoshta askund tjetër marrëdhënia e Kuvendit me institucionet e pavarura të drejtësisë duhet të jetë e qëndrueshme, dinamike, reciproke dhe secili ën kufijtë e vet të ushtrimit të pushtetit siҫ dikton Kushtetuta”, tha Spiropali.