Korridori 8, lidhje më të shpejta dhe më efikase mes vendeve të rajonit
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, priti në një takim kortezie komandantin e Forcës Detare bullgare, nënadmiralin Kiril Mihaylov.
Vizita e komandantit të Forcës Detare bullgare në Shqipëri u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet forcave detare të të dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve në të gjitha nivelet në fushën e mbrojtjes, si dhe mbi mundësitë e intensifikimit të tyre.
Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit nga të dyja vendet, së bashku me Italinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka hapur rrugën e bashkëpunimit në kuadër të Korridorit VIII.
Ky korridor ka një rëndësi strategjike të dyfishtë, jo vetëm si një rrugëkalim i sigurt për lëvizshmërinë e trupave ushtarake aleate, por edhe si një korridor për zhvillimin ekonomik të rajonit, duke mundësuar lidhje më të shpejta dhe më efikase ndërmjet vendeve.
Zëvendësministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu rëndësinë e Portit të Porto-Romanos si porta hyrëse e këtij korridori.
Një tjetër temë e diskutuar ishte industria e mbrojtjes, përpjekjet e Shqipërisë për rijetësimin e saj dhe përvojat e Bullgarisë në këtë drejtim, veçanërisht në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve detare.
Fraksion.com