AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga OKB-ja: Në Tiranë, shtet Sovran të bektashinjve

Me idenë për “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, kryeministri Edi Rama mbylli fjalën e tij në “Samiti i të ardhmes”, takimi i mbajtur në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një ditë më parë, ai kishte folur gjatë mbi këtë temë gjatë një interviste dhënë për gazetën amerikane Neë York Times, ndërsa Selia Botërore e Bektashinjve e cilësoi menjëherë një “nismë të jashtëzakonshme” që sipas saj do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”. Edhe zoti Rama, deklaroi se shteti Sovran i Bektashinjve do të ishte “një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.

Ndërsa kryeministri Rama nuk ka ofruar shumë detaje për këtë ide të cilën zgjodhi ta bëjë të ditur nga New York-u, duket qartë se ajo është konsultuar gjatë me komunitetin bektashi, drejtuesit e të cilëve nuk janë gjendur aspak të befasuar. Në një deklaratë të shpërndarë të dielën nga Selia botërore e bektashinjve në Tiranë, shpjegohet se me këtë nismë Urdhëri bektashi “do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave”.

Sipas kryegjyshit botëror bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili po ashtu e kishte komentuar më herët propozimin e kryeministrit në një intervistë po për New York Times-in, “kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, citohet kryegjyshi në deklaratë, ndërsa shpjegohet më tej se “si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”.

Shteti Bektashi pritet te shtrihet në territoret ekzistuese të Selisë Botërore, në një sipërfaqe disa hektarëshe, në një zonë periferike të Tiranës. Që prej vitit 1929, selia botërore e betashinjve u zhvendos nga Turqia, në kryeqytetin shqiptar.

Mbetet e paqartë rruga ligjore që do të duhet të ndiqet për njohjen e sovrantitetit të tij. Kushtetuta shqiptare parashikon në Nenin 1 të saj se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Një ndërhyrje për ndryshimin e saj do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të parlamentit, ose 94 vota.

Nuk ka ndonjë shifër të saktë të numrit të besimtarëve bektashinj në botë, ndërkohë që në Shqipëri, sipas të dhënave të censusit të fundit, të realizuar vitin e kaluar, janë deklaruar si të tillë, pak më shumë se 115 mijë persona, ose më pak se 5 përqind e popullsisë rezidente./VOA

 

Fraksion.com