AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: Fokusi te kapitali njerëzor, një nga prioritetet kryesore të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se, fokusi te kapitali njerëzor është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Vengu theksoi se, përveç rritjes së pagave në vitin 2024, Ministria e Mbrojtjes po nxit edhe procesin e arsimit profesional për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura në rrugën drejt modernizimit.

Forca Ajrore është momentalisht në një proces që ka nisur me kompletimin e flotës me mjete fluturuese, ndërsa paralelisht, arsimi profesional që lidhet me pilotët e rinj, po vijon me ritëm të plotë, shtoi ministri.

Vengu theksoi se, trajnimi teorik dhe kryesisht ai praktik është shumë i rëndësishëm në kurset profesionale të pilotëve të ardhshëm të Forcave të Armatosura, një aset i çmuar i Flotës së Ajrit.

Adea Ahmeti, Nën/Togere e Forcave Ajrore shprehet në videon e ndarë nga ministri Vengu se, “pas mbarimit të një cikli të plotë akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura, kjo është një mundësi shumë e mirë për të ndjekur një formim profesional dhe veçanërisht këtu në Forcën Ajrore”.

Ndërsa Nën/Togeri i Forcave Ajrore Mikel Musabelli thekson se, ky është një kurs profesional i daljes së pilotit të helikopterit.
“Konsiston në 3 faza, faza teorike, e cila zgjat deri diku tek 2 muaj e pak, është faza e përgatitjes në tokë e cila zgjat 2 javë dhe më pas është faza e praktikës, e cila konstiton në 82 orë”, shprehet ai.

Alida Bego, Nën/Togere e Forcave Ajrore shprehet se, “në formimin tonë profesional një gjë shumë e rëndësishme është ana teorike, ama diçka akoma më e rëndësishme është gjithashtu edhe ana praktike që na sjell më afër helikopterit ku jemi në gjendje ta prekim dhe gjithashtu edhe t’i japim pse jo, sepse jemi edhe pilotët e ardhshëm”.
Klei Zgura, Nën/Toger i Forcave Ajrore thekson se, ky është një formim profesional, por me shumë përgjegjësi.

“Pas pak çastesh “Blck Hawk”-u mbrapa meje do të ngrihet në fluturim dhe kjo është një përgjegjësi, jo vetëm personale, por edhe një përgjegjësi që kemi ndaj Forcave të Armatosura”, shprehet ai.

 

Fraksion.com