Rusia paralajmëron “pasoja katastrofike” nëse Perëndimi dhe Ukraina “provokojnë” Bjellorusinë
Rusia ka paralajmëruar Perëndimin dhe Ukrainën me “pasoja katastrofike” nëse ndjekin, atë që Moska e cilësoi si “skenar provokues” kundër Bjellorusisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, u tha gazetarëve se Moska është e shqetësuar nga, siç u shpreh ajo, rritja e aktiviteteve “provokuese” të NATO-s në kufirin me Bjellorusinë.
Sipas saj, Moska nuk e përjashton mundësinë që mund të ketë përpjekje për përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Zakharova shtoi se Rusia ka të dislokuara në Bjellorusi armë bërthamore taktike.
Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike – zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
NATO e kishte cilësuar këtë lëvizje si të “rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.
Fraksion.com