AktualitetPolitikëTë fundit

Marrëveshja për emigrantët, Rama: Ekskluzive për Italinë, me asnjë vend tjetër

Shqipëria nuk do të lejojë vende të tjera përveç Italisë të strehojë emigrantët në kampe pritjeje në territorin e saj, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euronews, pavarësisht rritjes së interesit ndërkombëtar për këtë skemë.

Një qëndrim i tillë vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik, Keir Starmer, kishte shprehur interes të madh për skemën, sipas së cilës Italia do të transferojë deri në 36,000 emigrantë në vit në dy qendra pritjeje në Shqipëri, ndërkohë që qeveria italiane përpunon kërkesat për azil.

“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”, u shpreh kryeministri gjatë intervistës.

Rama theksoi se qeveria e tij po përpiqet të ofrojë një zgjidhje pragmatike për një çështje që po bëhet një temë e nxehtë politike në Evropë.

“Kur vendosëm ta bënim marrëveshjen e migracionit, vendosëm bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë. Sigurisht që ne nuk jemi evropianë brenda BE-se, por ne jemi ende evropianë dhe kjo nuk mund të na mohohet. Kjo është diçka që ne e bëmë në vend që të mos bënim asgjë. Pra, a është e re apo nuk është e re, a është novatore apo nuk është novatore, do të funksionojë apo nuk do të funksionojë, kjo është e gjitha për t’u parë, por me siguri është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama mohoi gjithashtu se ky zhvillim mund t’i jepte Shqipërisë një avantazh në përpjekjen e saj për anëtarësim në BE.

 

Fraksion.com