“Kryetare e PD?”, Argita Malltezi: Ja shkaku që mund të më detyrojë të kandidoj për deputete në 2025
Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha, tha se nëse kandidon për deputete, do t’i nënshtrohet garës së primareve.
Ajo theksoi se nuk do të kandidonte në të njëjtën listë ku ndodhet emri i babait të saj, Sali Berishës, kryetar i PD-së.
“Unë do të kandidoj për deputete vetëm nëse ka një skenar për të ndaluar Sali Berishën që të kandidojë për deputet. Vetëm në këto kushte unë do të mendoj kandidimin, pasi nuk e kam si çështjes primare”, tha Malltezi në emisionin Open në News24.
“Fakti që Sali Berisha mbahet në një masë kaq të gjatë arresti tregon se ka një skenar për të mos e lejuar që të kandidojë.
Nuk ka ndodhur kurrë që të vendoset një masë arresti pa u pyetur më parë personi që po hetohet”, tha Argita Malltezi.
Ajo tha dhe dosja “Partizani” është në vazhdim të dosjeve që godasin opozitën dhe se është vijimi i sulmeve ndaj figurave të opozitës që kanë një peshë të caktuar, ndërsa përmendi këtu Fatmir Mediun, Ilir Metën, Fredi Belerin dhe së fundmi Sali Berishën.
Në këtë kuadër, Malltezi e konsideroi si një sulm politik atë që po ndodh me ish-Kryeministrin, i cili prej 10 muajsh ndodhet në “arrest shtëpie”.
“Jemi përpara kushteve shumë të vështira, asgjë nuk varet nga ‘jeta vdekje’ si të thuash që Berisha është nën arrest. Po ju sjell shembullin e Trump, ku dikush tha se nëse ai nuk do të vihej në akuzë, ai nuk do të kishte këtë sukses si kandidat.
Ajo tha se Berisha do të drejtojë fushatën për zgjedhjet dhe pas kësaj do të bëhet një garë për të caktuar Kryeministrin.
“Parimi që u vendos ishte që kryetarin e PD të mos e caktonte dikush tjetër”, tha ajo.
E pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të PD-së, Malltezi tha se nuk ka asnjë plan B, duke pohuar se Partia Demokratike do të shkojë me Sali Berishën kryetar në zgjedhje.
“Se çfarë do të ndodhë më tej unë nuk e di, por tani nuk ka asnjë plan B”, tha Malltezi.
Fraksion.com