AktualitetBota+Të fundit

Izraeli kryen sulmet më të ashpra ndaj Libanit; SHBA thirrje për zgjidhje urgjente diplomatike

Avionët luftarakë izraelitë kryen të enjten vonë në mbrëmje sulmet më intensive ndaj pjesës jugore të Libanit në gati një vit luftë, thanë burimet libaneze të sigurisë, një zhvillim që duket se ka përshkallëzuar edhe më tej konfliktin mes Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, pavarësisht thirrjeve për vetëpërmbajtje.

Shtëpia e Bardhë tha se një zgjidhje diplomatike ishte e arritshme dhe urgjente. Po kështu edhe Britania bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hezbollahut. SHBA “druhet dhe është e shqetësuar për përshkallëzim të mundshëm të konfliktit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në një konferencë për shtypin.

Breshëritë intensive pasuan sulmet në fillim të javës për të cilat Libani dhe Hezbollahu fajësuan Izraelin, që hodhën në erë radiot e dorës dhe biperat e grupit militant, duke vrarë 37 persona dhe plagosur rreth 3,000 të tjerë në Liban.

Në operacionin e së enjtes, Izraeli lëshoi dhjetëra bomba në të gjithë Libanin jugor, thanë tre burime libaneze të sigurisë. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.

Radio stacionet izraelite njoftuan se dhjetëra avionë luftarakë goditën objektivat e Hezbollahut, përfshirë rreth 100 raketahedhëse.

Ushtria izraelite nuk e konfirmoi këtë gjë, por tha më herët se kishte goditur dhjetëra objektiva të Hezbollahut, duke përfshirë raketahedhëse dhe depo armësh në Libanin jugor.

Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se shpërthimet e pajisjeve të komunikimit të martën dhe të mërkurën “kaluan të gjitha vijat e kuqe”.

Armiku doli përtej çdo kontrolli, ligji dhe morali“, tha ai, duke shtuar se sulmet “mund të konsiderohen si krime lufte ose shpallje lufte“.

Izraeli nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi shpërthimet e biperave dhe radiove të dorës, për të cilat burime të sigurisë thonë se ndoshta janë kryer nga agjencia izraelite e spiunazhit Mossad, e cila ka një histori të gjatë të kryerjes së sulmeve të sofistikuara në tokë të huaj.

Misioni libanez në OKB tha në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të enjten se Izraeli ishte përgjegjës për shpërthimin e pajisjeve nëpërmjet mesazheve elektronike dhe eksplozivëve të vendosur në to, përpara se të arrinin në Liban.

Lidhur me këtë çështje të premten do të mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së prej 15 anëtarësh.

 

Fraksion.com