“Ish-zëvendësministri lë qelinë”, Klodian Rrjepaj dëshmon në Komisionin Hetimor për Sterilizimin
Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi vijoi sot seancën dëgjimore me dëshmitarin Klodian Rrjepaj, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë.
Rrjepajt, i cili ndodhet në paraburgim, i është dhënë leje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për të dëshmuar në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi.
Në nisje të mbledhjes Rrjepaj tha se “për sa i përket objektit të hetim të këtij komisioni, besoj se duhet të jetë në përputhje me objektin e asaj që hetohet. Të thuash po hetojmë objektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor. I gjithë debati ka ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti. Do ishte mirë që kur të themi sterilizim të nënkuptojmë që ka objektin e vetë: Ofrimin e veshjeve njëpërdorimshme, dezinfektimin e sallave të operacionit, trajtimin e mbetjeve dhe repartit të sterilizimit. Është mbledhja, tharja paketimi dhe më pas sterilizimi”.
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho tha se “dakord me atë që projekti është shumë komponentësh, por objekti i hetimit të këtij komisioni nuk është i njëjtë me objektin e hetimit të organit të akuzë. Ne po kryejmë hetim administrativ dhe kjo duhet të jetë e qartë dhe e ndarë”.
Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi ka kërkuar të thirren dëshmitarë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetim nga SPAK.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se “kemi dërguar shkresë për të gjithë dëshmitarët që janë nën akuza në SPAK dhe në Gjykatë dhe na është konfirmuar përveç Beqajt, për të gjithë dëshmitarët e tjerë na është konfirmuar prania. Komisioni hetimor bazuar në Kushtetutë, por edhe në ligjin për Komisionet Hetimore parlamentare bëjnë hetimin parlamentar të bazës administrative edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka të theksuar qartë këtë pjesë, pra ndarjen e pushteteve”.
Fraksion.com