AktualitetEkonomiRajoniTë fundit

Fondi i BP shpall fituesit e rinj të granteve me vlerë 30.000 euro

Fondi i Ballkanit Perëndimor shpalli ditën e mërkurë 12 përfituesit e rinj të granteve të tij rajonalë, me vlerë 30.000 euro secili.

Këto grante, të bashkëfinancuara nga Bashkimi Europian, kanë si synim të mbështesin projektet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në Shqipëri, lista e fituesve përfshin Komitetin e Helsinkit, Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, Institutin e Ecodizajnit dhe Manaxhimit, Qendrën Rinore Perspektiva, Rezistencën Civile, Shoqatën Shqiptare të Teqball, etj.

I pranishëm në mbrëmjen e shpërndarjes, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato theksoi se, “bashkëpunimi brenda rajonit nuk është vetëm një parakusht për anëtarësimin në BE, por një gur themeli për prosperitetin. Jam krenar për Fondin e Ballkanit Perëndimor, të cilin vazhdojmë ta mbështesim me 1 milion euro shtesë, dhe jam i lumtur të shoh se si ai ndihmon OJQ-të të realizojnë ide të reja që kontribuojnë në ndërtimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse, më të larmishme dhe më të barabarta. Këto janë idetë dhe projektet që mund të transformojnë vendet e rajonit, të krijojnë rrjete rajonale të qëndrueshme dhe të hapin rrugën për integrimin e rajonit në BE”.

Dr. Gjergj Murra, Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, komentoi se, “falë partneritetit strategjik që kemi krijuar me Bashkimin Evropian, tani kemi një ndikim edhe më të madh në rajon. Kurrë nuk mund të lejojmë të harrojmë se alternativa e një rajoni ku mungon bashkëpunimi, nuk mund të jetë një alterantivë reale”.

Menaxheri i Projektit, Fjordi Bisha, theksoi konkurrencën e procesit të përzgjedhjes.

“Jam i kënaqur që sot mirëpres 12 kampionët rajonalë, të përzgjedhur pas një procesi të kujdesshëm nga mbi 140 aplikantë”, tha ai.

Çdo grant, duke ofruar mbështetje deri në 30,000 euro, mbështet iniciativa në bashkëpunimin rajonal në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën, zhvillimin e qëndrueshëm, agjendën e gjelbër, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut.

Fondi i Ballkanit Perëndimor është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2017 nga Ministritë e Punëve të Jashtme të rajonit për të promovuar pajtimin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor. Që nga themelimi i tij, ka ndarë mbi 300 grante për shoqërinë civile.

 

Fraksion.com