AktualitetPolitikëTë fundit

Apeli gjyq për Salianjin. “Çështja Babale”, Fredi Alizoti heq dorë nga ankimi. Avokati i deputetit: Ai e kreu misionin, i mori lekët

Seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat, Ervin Salianji për dosjen “Babale” ka nisur sot në Gjykatën e Apelit.

Fredi Alizoti ka dorëzuar kërkesë për heqje dorë nga ankimi.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se pyeti palët a janë dakord për kërkesën e Alizotit për heqjen dorë nga ankimi.

Avokati i deputetit Salianji Ledio Braho tha: E lëmë në çmim të gjykatës, ne dakord jemi. Ai e kreu misionin i mori lekët.

Me një vendim fajësie që i rëndon prej vitit 2019 dhe nuk ka marrë formë të prerë, Ervin Salianji nisi përballjen me Prokurorinë e Apelit që ngul këmbë se ai kreu kallëzim të rremë në dosjen Babale së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Dosja që tronditi politikën në atë kohë dhe që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafës sipas prokurorisë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin X dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.

Por Albert Veliu, njohur ndryshe si Babalja u largua për azil politik, kurse bashkëpunëtori i tij Fredi Alizoti i vetmi që bëri burg sipas gjykatës së apelit u tërhoq nga apelimi mbasi e ka vuajtur dënimin.

Në këto kushte politikani Salianji pret të jetë dyfish i akuzuar jo vetëm nga prokuroria por edhe nga njeriu të cilin ai e akuzoi, Geron Xhafa për të cilin Gjykata e Apelit kërkoi të njoftohet për nisjen e procesit mbasi ka statusin e viktimës dhe të dëmtuarit.

 

Fraksion.com