AktualitetBota+Të fundit

Zyrtari amerikan: Mbështetja e Kinës për agresionin rus në Ukrainë “vjen nga nivelet më të larta”

Departamenti i Shtetit — Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha të mërkurën se mbështetja nga Pekini për industrinë mbrojtëse të Moskës vjen direkt nga udhëheqja më e lartë e Republikës Popullore të Kinës, ose PRC. Zyrtari vuri në dukje se dërgimi i mikroprocesorëve nga Kina ka forcuar në mënyrë të konsiderueshme aftësitë e Rusisë në fushën e betejës në agresionin kundër Ukrainës.

Për muaj me rradhë, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë akuzuar Republikën Popullore të Kinës se ka ndihmuar në mënyrë aktive përpjekjet e Rusisë për luftë.

Uashingtoni ka vënë sanksione ndaj kompanive kineze që ofrojnë komponentë thelbësorë për industrinë e mbrojtjes së Rusisë.

Të mërkurën, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Kurt Campbell u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara “kishin kuptuar me ngadalësi” “intensitetin e angazhimit” mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit kinez Xi Jinping.

“Më shqetësuese është se ajo (mbështetja e Kinës për Rusinë) vjen nga niveli më i lartë”, tha zoti Campbell gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ai shtoi se “mikroprocesorë dhe disa kapacitete të lidhura me prodhimin e eksplozivëve” kanë ndikuar në intensifikimin e operacioneve të Rusisë.

“Ne po vëmë re rolin e dronëve dhe kapaciteteve të tjera që po depërtojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës. Shumë prej tyre janë mbështetur në mënyrë të fshehtë nga Kina dhe kjo ngre shqetësime reale”, tha ai.

Zyrtarët kinezë hodhën poshtë akuzat e Uashingtonit, duke pohuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet “të njollosin apo sulmojnë marrëdhëniet normale midis Kinës dhe Rusisë” ose të shkelin “të drejtat dhe interesat legjitime” të Kinës dhe kompanive të saj.

Më shumë se dy vjet e gjysmë pas luftës, Pekini vazhdon të bëjë thirrje për bisedime paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës që çojnë në një zgjidhje politike.

Disa anëtarë të Kongresit i kanë kërkuar administratës së Presidentit Joe Biden të vendosë sanksione ndaj bankave kineze për mbështetjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës./voa

 

Fraksion.com