AktualitetPolitikëTë fundit

Ropke: Nisma konkrete për integrimin e vendeve të rajonit

Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke deklaroi sot se metodologjia e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duhet të jetë graduale dhe se ka ardhur koha e krijimit të Komitetit të Përbashkët Konsultativ, organ ky i cili jo vetëm do të monitorojë, por do të japë edhe këshilla së bashku me institucionet në qeveri për anëtarësimin e vendeve të BP-së.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama nga Brukseli, Ropke u shpreh se baza ligjore për këtë hap ishte gati.

“Ne nga ana jonë jemi gati. Kemi bazën ligjore, thjeshtë duhet të caktohen në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse anëtarët dhe më pas mund të vijojmë. Jam i mendimit që duhet që të fillojmë menjëherë me këtë hap”, deklaroi ai.

Sipas Ropke, në seancën plenare ditën e djeshme u miratua një rezolutë për mandatin tjetër legjislativ.

“Kjo rezolutë kryesore nga komiteti ynë, do të thotë që qasja jonë për të integruar vendet kandidate dhe shoqërinë civile nga këto vende në mënyrë sa më të shpejtë dhe graduale është e dëshiruar. Ne ju bëjmë thirrje edhe institucioneve të tjera të BE-së të ndjekin shembullin tonë“, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur edhe se ka një opinion tjetër që u miratua dje për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Kemi theksuar aty funksionin e rëndësishëm që do të kenë Komitetet e Përbashkëta Konsultativë”, deklaroi Ropke.

Kjo, pasi sipas tij, ndërkohë që ritmi i integrimit mund të jetë i ngadaltë, gjithsesi procesi duhet të jetë i orientuar te rezultatet, i besueshëm dhe i bazuar te merita dhe nuk duhet të largojmë vëmendjen dhe sytë nga ky moment kaq i rëndësishëm.

“Nuk është se thjeshtë se shpresojmë, por jemi të vendosur të vijojmë me këtë projekt, sepse nuk mund të zhgënjejmë asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor më tej. Qëndrimi ynë është i qartë. Sigurisht anëtarësimi në BE duhet të bazohet te merita, por metodologjia duhet të jetë graduale. Një përfshirje graduale të vendeve kandidate dhe pikërisht këtë kemi bërë në Komitetin Ekonomik e social. Jemi pararojë e kësaj metodologjie, këtu në BE”, tha ai.

Ropke dha mbështetjen për shoqërinë civile teksa e cilësoi si mjaft të angazhuar në nismat për përshpejtimin e integrimit në BE.

Ropke ishte javën e shkuar në Tiranë ku zhvilloi takime me autoritetet më të larta në vend ashtu si dhe me shoqërinë civile.

“Javën e shkuar udhëhoqa delegacionin tonë në Tiranë. Ne jemi avokatë të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë dhe mesazhi që na përçuan ata ishte që duhet mbështetja jonë madhore për zgjerimin, për t’ bërë Shqipëria anëtare e BE-së. Ne qëndrojmë krah për krah me shoqërinë civile të Shqipërisë, në mënyrë që të mbështesim aspiratat tuaja për tu bërë shtet anëtar në BE“, u shpreh Ropke.

Ai theksoi se nuk mund të zhgënjente aspiratat e qytetarëve shqiptarë.

Në lidhje me Shqipërinë, Ropke informoi se ishin 18 anëtarë nga sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe shoqëria civile, të cilët kanë punuar për dy opinione shumë të rëndësishme së bashku me anëtarët tanë për të ardhmen e politikës së kohezionit të BE-së, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.

 

Fraksion.com