AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Komitet i Përbashkët Konsultativ për fuqizimin e bashkëpunimit me BE-në

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot krijimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, Rama u ndal te hapat e mëtejshëm drejt BE-së.

“Jam shumë i kënaqur që jam sot këtu me ju, kjo vetëm pak ditë pas vizitës që ju patët në Tiranë për të treguar vlerësimin që ka qeveria ime për rolin dhe kontributin e  rëndësishëm të shoqërisë civile në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Gjithashtu dëshiroj t’ju falënderoj për mirëseardhjen tuaj dhe më vjen mirë që ne mendojmë njësoj për një sërë çështjesh”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se është tejet inkurajuese dhe vërtetë sjell shumë energji të reja, fakti që kemi mundësi të finalizojmë procedurën e krijimit të Komitetit të Përbashkët Konsultativ.

“Provë kjo jo vetëm e anagzhimit tonë, por edhe e besimit të fortë që ne kemi që procesi i integrimit në BE nuk është thjesht një çështje që i përket qeverisë, por u përket të gjithë qytetarëve edhe me përfshirjen e shoqërisë civile”, shtoi ai.

Rama tha se ndjehet veçanërisht i emocionuar për mbështetjen që ka dhënë Presidenti Röpke dhe i gjithë ekipi i tij.

“Kjo për arsye se na jepni mundësinë që tu tregojmë qytetarëve tanë dhe të gjithë aktorëve në vendin tonë, jo thjesht përmes gjërave që themi ne, por përmes një institucioni këtu, në këtë kompleks institucionesh në BE, se sa e rëndësishme është që të kuptojmë se rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë për të cilën duhet e gjithë shoqëria, jo thjesht disa aktorë në vend”, shtoi Rama.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi rëndësinë e konsultimeve me organizatat e shoqërisë civile, si një punë normale dhe e rregullt për çdo nismë është kyçe për këtë proces.

“Për këtë arsye ne me shumë kënaqësi presim që me anën e këtij angazhimi, e kësaj përfshirjeje dhe të këtyre konsultimeve do të shikojmë që edhe vetë konsultimet do të bëhen më thelbësore dhe që ky ndërveprim brenda përbrenda shoqërisë sonë do të bëhet edhe më i rëndësishëm për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se me këtë Komitet të Përbashkët Konsultativ që do të krijohet së shpejti do të kemi edhe një mekanizëm tjetër shumë të rëndësishëm dialogu me Komitetin Ekonomiko-Social Europian.

Kryeministri theksoi se “synimi është që të forcojmë dhe fuqizojmë bashkëpunimin tonë, provë që tregon se ne jemi vërtetë të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE”.

“Nën frymën e punës së këtij Komiteti që ka qenë jo vetëm një aktor shumë aktiv në qasjen e përshpejtuar të integrimit europian, por edhe një aktor shumë i hapur dhe shumë dashamirës ndaj nesh. Duke kuptuar nga faktet që Brukseli ka zemër, ky është vërtetë lajm i mirë. Mirënjohje për Oliverin dhe ekipin e tij të shkëlqyer për gjithçka që ata bëjnë edhe në përfshirjen e tyre për të ndihmuar të tjerët që të përmirësohen edhe më shumë”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com