Studimi: Shqetësues largimi i trurit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut
Një studim krahasues mbi diasporat shkencore të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut zbuloi një ikje në shkallë të madhe e shqetësuese të trurit nga këto vende. Autorët e studimit pohuan për Zërin e Amerikës se kjo dukuri është më shumë e përhapur në Shqipëri dhe Kosovë, e më pak në Maqedoninë e Veriut. Shkaqet e moskthimit për shumicën e të anketuarve janë karriera dhe jetesa më e mirë jashtë vendit, ndërsa si parakushte për t’u kthyer ata renditin uljen e korrupsionit, qëndrueshmërinë ekonomike e politike, si dhe investimet dhe reformat në arsim.
Ata anketuan online dhe intervistuan drejtpërdrejt afro 1 mijë e 100 doktorë dhe studentë doktorature nga Shqipëria, 427 nga Kosova dhe 72 nga Maqedonia e Veriut. Kosovës i përkasin moshat më të reja të shkencëtarëve të intervistuar, në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Bashkautori i studimit, Russell King, nga Universiteti i Sussex-it në Mbretërinë e Bashkuar, tha për Zërin e Amerikës se ikja e studiuesve është më e madhe nga Shqipëria e Kosova e më pak Maqedonia, ndërsa kthimi pas studimeve jashtë është i dobët në Shqipëri, por disi më i fortë në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut.
“Gjetëm një ikje të konsiderueshme të trurit veçanërisht nga Shqipëria dhe nga Kosova, e ndoshta më pak nga Maqedonia e Veriut. Kjo duket tek numri i madh i njerëzve që punojnë dhe studiojnë jashtë si dhe niveli i ulët i njerëzve që kanë synimin që të kthehen. Shumica e diasporës shkencore të Shqipërisë sidomos nuk dëshirojnë që të kthehen, janë akademikë, shkencëtarë, që punojnë jashtë në institucione akademike dhe kompani private në nivele të larta, janë të integruar mirë atje dhe synimi për t’u kthyer është mjaft i ulët”, thotë bashkautori i studimit Russell King.
Shumica e të anketurave shprehen të pavendosur për t’u kthehen në atdhe, ndërsa ata që kanë vendosur të mos kthehen i përkasin më së shumti Shqipërisë. Studimi vëren se studiuesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut shprehin më shumë dëshirë për t’u kthyer në atdhe dhe kanë besim më të madh tek qeveria dhe tek kthimi i tyre i ardhshëm.
“Ajo që bie në sy nga studimi i diasporës shkencore shqiptare, dëshira për t’u kthyer është më e madhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, rreth 36 për qind, por shumë pak në Shqipëri rreth 17 për qind. Megjithatë diaspora shkencore shqiptare dëshiron të bashkëpunojë në masën mbi 90 për qind me institucionet kudo që janë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut”, thotë për Zërin e Amerikës, Ilir Gëdeshi, bashkautor i studimit, drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike e Sociale.
Të dhënat e studimit u publikuan sot gjatë një konference në Tiranë, e mbështetur nga CEI Central European Inititive.
Ndër arsyet për t’u kthyer të anketuarit renditin këmbënguljen e prindërve dhe familjes që ata të kthehen, mundësitë e kufizuara për karrierë shkencore dhe treg i vështirë pune në vendin pritës. Nga ana tjetër, në studim të anketuarit e doktoraturës renditin edhe parakushtet që, sipas tyre, duhet të ekzistojnë në vendin e tyre që ta mendojnë kthimin.
Në krye të këtyre parakushteve për t’u kthyer në atdhe të anketuarit renditin reduktimin e nivelit të korrupsionit, qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike, paga më të mira, investimet në arsim dhe kërkime shkencore, reformimin e universiteteve dhe instituteve kërkimore, një siguri më të lartë sociale, forcimin e rendit publik, dhe përmirësimin mjedisor dhe infrastrukturor.
“Shumë prej të intervistuarve thanë se nuk shohin të ardhme në Shqipëri për këtë kohë, sepse shumë gjëra atje duhen ndryshuar, dhe ata renditin reformimin e universiteteve, më shumë paga dhe kushte pune, si dhe janë kritikë ndaj korrupsionit të përhapur shumë në shoqërinë shqiptare në gjithë nivelet”, tha zoti King.
Studiues me origjinë nga Shqipëria u intervistuan mes të tjerëve 873 doktorë dhe 102 studentë doktorature, nga të cilët afro 2 të tretat janë gra dhe një e treta burra.
Mes të anketuarve me origjinë nga Kosova janë 290 doktorë dhe 120 studentë doktorature, të ndarë thuajse barazim nga ana gjinore. Ndërsa mes të intervistuarve me origjinë nga Maqedonia e Veriut janë 63 doktorë dhe 9 studentë doktorature, gati të barabartë nga numrat gjinorë.
Pjesa më e madhe e të anketuarve nga të tre vendet studiojnë në shkenca natyrore, ekonomi, sociologji, mjekësi, inxhineri dhe informatikë.
Si arsye kryesore për emigrimin ata renditin studimet doktorale, të nxitura prej bursave nga institucionet pritëse në SHBA dhe Evropën Perëndimore. Po ashtu shkak janë arsyet ekonomike, mundësitë e pakta për kërkime shkencore në vendet e tyre.
Pjesa më e madhe e të anketuarve janë të punësuar në universitete dhe institucione shkencore, në firma private, institucione publike dhe vetëpunësim.
“Ata shohin një seri pengesash në Shqipëri, ndaj niveli i atyre që dëshirojnë që të kthehen është më i vogël, por ato dëshirojnë që të bashkëpunojnë me institucionet, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ndaj duhen bërë përpjekje si të ulen pengesat nga ana e institucioneve, sepse diaspora shkencore dëshiron që të bashkëpunojë. Duhet të kemi parasysh që mbi 60 për qind e diasporës shqiptare punojnë në universitete dhe institucione shkencore të vendeve më të zhvilluara të Perëndimit. Është krijuar një pasuri njerëzore nga këto 3 vende e gatshme të kontribuojë për vendin e origjinës”, tha zoti Gëdeshi.
Studimi vëren se sa u përket studiuesve nga Shqipëria, pas largimit drejt një destinacioni të parë studimesh si Italia, Greqia, Turqia e Bullgaria, një pjesë jo e vogël e tyre lëvizin përsëri drejt SHBA-ve, kandasë, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe.
Ndërsa studiuesit nga Kosova lëvizin në një fazë të dytë nga Turqia, Franca, Italia e Sllovenia drejt Zvicrës, Austrisë dhe Britanisë së Madhe.
Studiuesit nga Maqedonia e Veriut lëvizin prej Italisë, Turqisë dhe SHBA-ve si destinacion i parë, më vonë drejt Zvicrës dhe Gjermanisë.
Megjithatë pjesa dërrmuese shprehën gatishmërinë që ta bashkëpunojnë me institucionet shkencore të vendeve të tyre me projekte të përbashkëta kërkimore, leksione, konsultime konsultime për qeverinë dhe sektorin privat, pjesëmarrje në konferenca, mbështetje për studentët e rinj.
Ashtu si pjesa më e madhe e Ballkanit perëndimor, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë dekadat e fundit disa nga normat më të larta të emigrimit në Evropë.
Edhe emigrimi i mundshëm, pra përqindja e popullsisë që mendon të migrojë, është gjithashtu e lartë dhe në rritje, kryesisht në rradhët e të rinjve, të rriturve dhe ata me arsim të lartë.
Shqipëria sidomos dallohet për emigrimin e personave me arsim të lartë, të cilët, sipas statistikave, përbëjnë rreth 40 për qind të emigrantëve./DW
Fraksion.com