AktualitetPolitikëTë fundit

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, ndërpritet mbledhja për mandatin e deputetit Vullnet Sinaj

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vijoi sot mbledhjen për mocionin nga 1/10 e deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputet Vullnet Sinaj”.

Deputeti Vullnet Sinaj, në fjalën e tij u shpreh se, që kur është bërë deputet nuk ka menduar asnjëherë të përfitojë.

“Mendova që me shpjegimet që dhashë herën e parë do të ishin tërhequr kolegët e opozitës që bënë mocionin se mendova që do të ishin bindur që unë isha donator dhe jo përfitues i fondeve”, tha Sinaj.

“Që kur unë kam marrë mandatin e deputetit, as e kam pasur ndonjëherë në mendje që të përfitoja dhe këtë e vërtetoj me pagën që rreth 200 milionë të vjetra, po të merrni ekstraktet e bankës janë të gjitha dhuratë për njerëzit që kanë qenë në nevojë. Sepse e bëra këtë gjë edhe për të kuptuar që nga një biznesmen nuk ka vetëm qëllim fitimi, por nuk më shkonte poshtë ajo paga ime kur unë shikoja njerëz që kishin nevojë për t’i ndihmuar.

Ai u shpreh se, “me këtë vërtetoj që nuk kam pasur asnjë qëllim dhe kam marrë të gjitha masat pa u bërë deputet që unë të mos kisha asnjë kontakt me bizneset. Që nga vendosja e personit të besuar. Personi i besuar është personi që i delegohen të gjitha kompetencat e biznesit dhe unë dal jashtë të gjithë kompetencave. Nuk kam të drejtë, jo më vendimmarrje, por as informimi se çfarë ndodh në biznes dhe personi i besuar sipas ligjit ka të gjitha të drejtat ta drejtojë kompaninë dhe pa më dhënë asnjë llogari dhe pa më thënë mua fare për çdo gjë që ai kryen në kompani”.

Sinaj akuzoi kreun e grupit të PD, Gazment Bardhin se ka gënjyer duke thënë se ka persona të besuar vetëm në 4 kompani.

“Unë kam person të besuar në të gjitha kompanitë e mia”, tha Sinaj.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se, “vetë shpjegimet e deputetit që ka ardhur këtu për t’i bërë reklamë vetes dhe jo për të dhënë llogari për përfitimet që ka marrë nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën janë prova më e qartë që mocioni i 1/10-ës së deputetëve është i bazuar në fakte, se një deputet që pretendon që nuk ka përfituar, merret me dokumentet dhe faktet që ndodhen në dosje, jo të bëjë reklamë këtu dhe të na quajë donacion paratë që shpërndan për të blerë vota. Se unë nuk di që paratë që shpërndahen për të blerë vota quhen donacion. Ato mund të fshihen si donacion, por janë absolutisht forma klasike e korrupsionit në zgjedhje”.

Pas debateve Bardhi dha lajmin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PD, Gert Bogdani si pasojë e një arresti kardiak duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes së sotme.

“Sapo është konfirmuar Gert Bogdani ka ndërruar jetë dhe ky lajm është tronditës dhe shumë i rëndë në PD dhe në Kuvend. Kërkoj mirëkuptim tuaj për ndërprerjen e mbledhjes”, u shpreh Bardhi.

Nga krahu tjetër, Drejtuesja e Kuvendit, e cila drejton dhe Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pranoi kërkesën e deputetëve të PD. “U prehtë në paqe kolegu ynë Gerti Bogdani. Ngushëllime familjes së tij. Mbledhja ndërpritet dhe do të vijojë në një moment të dytë”, tha Spiropali.

Pas këtij lajmi tragjik, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes.

 

Fraksion.com