“Lajm shokues që më erdhi tani në tavolinë”, Berisha mbyll para kohe konferencën për shtyp: Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, humbje e madhe për shoqërinë
Kryetari i PD, Sali Berisha e quajti një lajm shokues ndarjen nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani.
Teksa ishte në një konferencë për media, ai priti lajmin tronditës duke mbajtur 1 minutë heshtje, ndërsa tha se është një “humbje e madhe për shoqërinë”.
Berisha: “Ky lajm i zi në këtë moment me erdhi këtu në tavolinë. Është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të Partisë Demokratike më të një shquara, ka qenë një politikan demokrat me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi në shkallën më të lartë. Është një humbje e madhe për PD-në dhe shoqërinë shqiptare, ishte pasardhës i një familje të shkëlqyer. Ishte i shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA-ve. Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore dhe kontributit për vendin e tij, për PD-në, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për çdo qytetar më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur. Dy netë më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë i cili te çdo qytetar k lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim dhe komunikim, ky është Gerti Bogdani. Ju ftoj të ngrihemi dhe të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të ri të PD-së”.
Fraksion.com