Evropa Qendrore vazhdon të luftojë me shira e përmbytje
Banorët dhe autoritetet në Evropën Qendrore vazhdojnë të luftojnë me reshje të dendura shiu dhe përmbytje.
Në Rumani, zyrtarët thanë se së paku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur.
Në Austri, një zjarrfikës vdiq gjatë një operacioni të shpëtimit. Në Poloni u raportua, po ashtu, një viktimë nga mbytja, ndërsa në Republikën Çeke katër persona janë të zhdukur.
Lidhjet e trenave midis Polonisë dhe Republikës Çeke u pezulluan.
Në Çeki, rreth 250.000 familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava. Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati dhe Vaslui, ku përmbytjet në disa zona ishin 3 metra të thella.
Evropa përballet me vërshime vdekjeprurëse
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Evropën Qendrore u rrit në tetë të dielën dhe mijëra vetë u evakuuan në Republikën Çeke pasi shirat e rrëmbyer vazhduan të dielën, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të rajonit.
Një person u mbyt në Poloninë jugperëndimore, një zjarrfikës humbi jetën në Austri dhe dy persona të tjerë humbën jetën në Rumani, ku përmbytjet morën jetën e katër personave të shtunën.
Një sistem i presionit të ulët i quajtur Boris ka shkaktuar rrebeshe për ditë të tëra dhe lumenjtë kanë dalë nga shtratet nga Polonia në Rumani, ku numri i të vdekurve u rrit në pesë të dielën.
Të paktën deri të hënën parashikohen reshje të tjera shiu dhe erëra të forta. Disa pjesë të Republikës Çeke dhe Polonisë u përballën me përmbytjet më të mëdha në pothuajse tre dekada dhe disa qytete evakuuan mijëra banorë. Një çerek milioni familje çeke ishin pa energji elektrike.
Zjarrfikësi austriak humbi jetën ndërsa punonte me ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, tha zëvendëskancelari Werner Kogler, ndërsa autoritetet e shpallën zonën që rrethon kryeqytetin Vjenën, një zonë fatkeqësie natyrore.
Një urë u shemb në qytetin historik polak Glucholazy pranë kufirit çek. Mediat lokale thanë se një shtëpi u rrënua dhe një urë u shemb në qytetin malor Stronie Slaskie, ku shpërtheu një digë, sipas institutit polak të motit.
Mbi 10,000 vetë ishin evakuuar në Çeki, tha kreu i shërbimit zjarrfikës për televizionin çek.
Përtej kufirit në Poloni, një person vdiq në qarkun Klodzko, për të cilin kryeministri Donald Tusk tha se ishte zona më e goditur e vendit pas takimit me zyrtarë në qytetin kryesor. Qyteti Klodzko ishte pjesërisht nën ujë nga vërshimi i lumit.
Zyrtarët në Glucholazy aty pranë urdhëruan evakuime herët të dielën, megjithëse përpjekjet për të mbrojtur infrastrukturën e qytetit nuk arritën të ndalonin shembjen e urës.
Në kryeqytetin hungarez, Budapest, zyrtarët parashikojnë që niveli i lumit Danub të ngrihet në gjysmën e dytë të kësaj jave në më shumë se 8.5 metra duke iu afruar një rekordi prej 8.91 metrash të vitit 2013. “Sipas parashikimeve, një nga përmbytjet më të mëdha të viteve të fundit po i afrohet Budapestit, por ne jemi të përgatitur ta përballojmë atë,” tha kryebashkiaku Gergely Karacsony.
Parashikimet janë që shirat dhe erërat e forta që nisën qysh në fund të javës së kaluar, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë.
Fraksion.com