AktualitetNATO/BETë fundit

Kryetari i Komitetit Usharak të NATO-s merr pjesë në Dialogun e Mbrojtjes së Seulit

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer mori pjesë në Dialogun e Mbrojtjes së Seulit (SDD) në Republikën e Koresë,  Gjatë sesionit të hapjes me temën “Parandalimi i luftës dhe ruajtja e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla” Admirali Bauer mbajti një fjalim kyç mbi rëndësinë e Partneriteteve në një botë gjithnjë e më të ndarë. Gjatë konferencës, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s zhvilloi takime dypalëshe me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët të Republikës së Koresë, si dhe Ministrin e Mbrojtjes të Mongolisë.

Në fjalimin e tij kryesor, Admirali Bauer nënvizoi pasojat globale të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai përgëzoi Republikën e Koresë për mbështetjen e fortë dhe të palëkundur për Ukrainën. Ai deklaroi se NATO dënon fuqishëm bashkëpunimin e thelluar ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, i cili minon paqen në Gadishullin Korean dhe nxit luftën kundër Ukrainës. Admirali Bauer theksoi se si NATO dhe partnerët e saj Indo-Paqësor po forcojnë më tej bashkëpunimin në nivele të shumta. “Nuk ka armë më të fortë në botë se uniteti. Së bashku do të dëshmojmë se demokracia do të triumfojë mbi tiraninë.”

Takimi dypalësh me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Koresë, KIM Yong-hyun, ofroi një shans për të shkëmbyer vlerësime për mjedisin e sigurisë globale dhe mënyrën e rritjes së bashkëpunimit. NATO dhe Republika e Koresë punojnë së bashku në mënyrë dypalëshe për një sërë sfidash të përbashkëta ndërrajonale të sigurisë, të cilat përfshijnë mbrojtjen kibernetike, kontrollin e armëve dhe mospërhapjen, teknologjinë dhe kundër-terrorizmin. Ata gjithashtu bashkëpunojnë si pjesë e marrëdhënieve më të gjera të NATO-s me partnerët e saj në rajonin Indo-Paqësor. Republika e Koresë dhe NATO janë të përkushtuara për të rritur dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që të mbështesin dhe forcojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Në takimin me Admiralin Kim Myung-soo, Kryetar i Shefit të Shtabit të Përbashkët (JCS), Admirali Bauer diskutoi bashkëpunimin aktual në kuadër të Programit të Partneritetit të Përshtatur Individualisht që u ra dakord në vitin 2023. Dialogu politik dhe bashkëpunimi praktik po zhvillohen në fusha prioritare , duke përfshirë mospërhapjen, mbrojtjen kibernetike, shkencën dhe teknologjinë, kundër terrorizmit, ndërveprueshmërinë dhe mbrojtjen kundër agjentëve kimikë, biologjikë, radiologjikë dhe bërthamorë (CBRN).

Fraksion.com