Pesë deputetë bëhen bashkë për lista të hapura: Mund të prezantohemi si bashkim partish
Pesë deputetë të opozitës janë bërë bashkë për të kundërshtuar listat e mbyllura. Në një konferencë të përbashkët, deputetët Dashamir Shehi, Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka, Arbi Agalliu, dhe Salaudin Jakupllari deklaruan se janë kundër daljes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me lista të mbyllura.
“Na bashkon një qëndrim i qartë dhe i saktë pa ekuivok në mbështetjen e drejtësisë. Raportet me partnerët strategjikë janë të domosdoshme. Ne që jemi këtu mendojmë që sot opozita por dhe parlamenti është distancuar vite dritë larg nga publiku. Një nga elementet është vota përmes listave të hapura. Është e udhës që sot t’i dorëzohet popullit e drejta të vendosë dhe një nga këto është vendimi për të dalë me lista të hapura” tha Alibeaj.
Dashamir Shehi tha se është i bindur se nuk janë vetëm pesë deputetë kundër listave të mbyllura në sallën e Kuvendit dhe nxit kolegët që të dalin hapur.
Pyetur nga gazetarët sesi do të dalin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Alibeaj u shpreh se mund të prezantohen si bashkim partish. Alibeaj la të kuptohet se në zgjedhje do të futen me lista të hapura. “Mund të prezantohemi si bashkim partish. Thirrja jonë nuk është vetëm për kolegët, por i thërrasim dhe partive të tjera jo parlamentare, flukseve të tjera jo të formalizuara dhe elitës shqiptare të prezantohet në formën e një bashkësie politike, do të aplikojmë sistemin me lista të hapura”, u shpreh Alibeaj.