AktualitetBota+Të fundit

A po përpiqet Rusia të manipulojë zgjedhjet në SHBA?

Nga Thomas Latschan

Përpara zgjedhjeve presidenciale në nëntor, SHBA-ja akuzoi Rusinë për ndikim në zgjedhje – jo për herë të parë. Cilin kandidat do të mbështetë Rusia?

Konkretisht, paratë thuhet se janë përdorur për të prodhuar video që promovonin kryesisht narrativa të krahut të djathtë mbi tema të tilla si emigracioni, problemet gjinore dhe ekonomia përpara zgjedhjeve në SHBA në nëntor 2024. Këto video më pas u shpërndanë në mediat sociale nga disa influencues të krahut të djathtë që punonin për kompaninë në Tenesi – gjoja pa e ditur që videot ishin bërë me përfshirjen ruse. Videot në fakt thuhet se janë montuar dhe prodhuar nga dy punonjës të RT.

Pikëpamjet e shprehura në video ishin “shpesh në përputhje me interesin e qeverisë ruse për rritjen e përçarjeve brenda Shteteve të Bashkuara”, thuhet në aktakuzë. Qëllimi është “që të SHBA të dobësohet në përballjen me interesat ruse, për shembull në luftën në Ukrainë.”

propaganda ruse
Propaganda ruseFotografi: Michael Bihlmayer/CHROMORANGE/picture alliance

Ndërhyrje globale

Rasti aktual ofron vetëm një pasqyrë të vogël se si me gjasa vepron Rusia për të ndikuar në zgjedhje – ndonëse vetë Moska rregullisht mohon çdo akuzë për ndërhyrje në zgjedhjet e vendeve të tjera.

“Rusia ka vite që po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në vendet demokratike, siç janë zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2016 ose zgjedhjet presidenciale franceze të 2017”, thotë Julia Smirnova nga Qendra e Berlinit për Monitorimin, Analizën dhe Strategjinë (CeMAS) – një institut që studion mënyrat e dezinformimit dhe ideologjitë konspirative në internet. Në tetor 2023, SHBA-ja dërgoi një raport të inteligjencës në 100 vende mike në mbarë botën, ku thuhet se Rusia po përdorte në mënyrë aktive “spiunët, rrjetet sociale dhe mediat shtetërore” për të minuar besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve demokratike në mbarë botën.

Midis 2020 dhe 2022, kjo thuhet se ka ndodhur në të paktën nëntë vende, ndërsa në 17 vende të tjera ka pasur  “një nivel më pak të theksuar” të aktiviteteve në mediat sociale ruse, e kjo duhet të merret shumë seriozisht nga këto vende. Rusia është përpjekur të influencojë edhe zgjedhjet evropiane në qershor 2024.

Frikësim, dezinformim, manipulim opinioni

Mundësitë e keqpërdorimeve janë shumë të mëdha. Në zgjedhet në një vend evropian në vitin 2020 u tha se aktivistët ishin të frikësuar. Në raporte thuhet se mediat shtetërore ruse kanë përhapur masivisht pretendime të rreme për mashtrimin e votuesve në disa zgjedhje demokratike në mbarë botën në vitet 2020 dhe 2021. Në të paktën një vend në Amerikën e Jugut, Moska gjithashtu ka përhapur dyshime masive për pavarësinë e zgjedhjeve. “Përdoren metoda të ndryshme: për shembull, sulme hakerash në të cilat publikohen dokumentet interne të politikanëve, të vërteta ose ndonjëherë edhe dokumente false, si në zgjedhjet e 2017-ës në Francë”, thotë Smirnova.

“Ajo që Rusia përdor është edhe manipulimi i opinionit publik përmes mediave sociale duke përdorur llogari të sajuara, si dhe përmes kanaleve të hapura si RT”.

RT dhe propaganda ruse
RT dhe propaganda ruseFotografi: Muhammed Ibrahim Ali/IMAGESLIVE via ZUMA Press Wire/picture alliance

E ashtuquajtura “fushatë e dyfishtë” tregon saktësisht se si mund të duket kjo: elementi qendror janë “faqet e klonuara të mediave kryesore perëndimore”, si Spiegel, FAZ, Washington Post, FoxNews dhe shumë të tjera, shpjegon Julia Smirnova. Këto faqe janë të ngjashme me faqet reale të mediave – përveç përmbajtjes. “Disa prej teksteve të publikuara ishin histori të sajuara, por kishte dhe artikuj që përhapnin opinione të caktuara politike”, tha Smirnova. Artikujt e rremë janë postuar më pas në mediat sociale, ndonjëherë edhe në komentet e postimeve reale nga mediat e njohura. Shpesh, thotë analisti i CeMAS, këto janë “rrëfime pro-ruse për luftën në Ukrainë, me të cilat Rusia po përpiqet të minojë mbështetjen për Ukrainën në Perëndim”.

Qëllimi afatgjatë: minimi i demokracisë

Qëllimi i ndërhyrjes ruse nuk është më vetëm përhapja dhe përforcimi i pozicioneve pro-ruse, për shembull në lidhje me luftën në Ukrainë. Ajo do të shkojë shumë më larg. “Qëllimi kryesor është promovimi i interesave gjeopolitike të Rusisë. Por edhe destabilizimi i vendeve që Kremlini i percepton si kundërshtarë të Rusisë.” Për këtë qëllim, diskutimet polarizuese në vendet demokratike nxiten edhe më shumë me qëllim që të krijohen përçarje në shoqëri dhe të forcohen elementë që shkojnë në favor të Rusisë.

Për të arritur këtë qëllim, partitë në periferi politike forcohen politikisht por edhe financiarisht. Që në vitin 2022, Washington Post raportoi për të paktën 300 milionë dollarë që janë dhënë në llogari të partive veçanërisht miqësore me Rusinë në mbarë botën, duke përfshirë edhe shtete më të vogla si Shqipëria, Mali i Zi, Madagaskari dhe Ekuadori. Sipas agjencive të inteligjencës amerikane, forcat e lidhura me Kremlinin përdorën edhe kompani të caktuara, grupe të ekspertëve dhe mjete të tjera për të ndikuar në ngjarjet politike – shpesh në dobi të grupeve ekstremiste të krahut të djathtë. Në mars të vitit 2024, shërbimi sekret çek BIS zbuloi një rrjet ndikimi të financuar nga Rusia, sipas të cilit, ndër të tjera, thuhet edhe Peter Bystron, deputet i AfD në Bundestag, që klasifikohet si parti e ekstremit të djathtë, të ketë marrë pagesa financiare. Këto pagesa supozohet se janë përpunuar përmes portalit pro-rus të internetit me bazë në Pragë “Zëri i Evropës”. Thuhet se pagesa janë bërë edhe për partitë ekstreme në Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë dhe Hungari.

Propaganda ruse në media
Propaganda ruse në mediaFotografi: Guido Schiefer/IMAGO

Jo gjithmonë të suksesshëm

Në fund të fundit, sipas raportit të inteligjencës amerikane nga tetori 2023, Rusia ndjek dy qëllime: të portretizojë zgjedhjet demokratike si të pabesueshme në përgjithësi dhe të delegjitimojë qeveritë që dalin nga këto zgjedhje. Kjo destabilizon demokracitë e prekura dhe kështu dobëson kundërshtarët e Rusisë në mbarë botën.

Por këto fushata nuk janë gjithmonë të suksesshme. “SHBA-ja ka zbuluar dhe konfiskuar 32 domene në internet që u përdorën në fushatë javën e kaluar,” shpjegon Julia Smirnova. Në esencë, kjo ka të bëjë edhe me “forcën dhe qëndrueshmërinë e shoqërive demokratike”. Kjo përfshin edhe programe edukative për të rritur kuptueshmërinë e shkrim-leximit mediatik për të rinjtë dhe të rriturit, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm dhe të mos bien pre e ndikimit rus në internet.

“Rusia investon shuma të konsiderueshme në fushatat e saj në mbarë botën çdo vit,” thotë Julia Smirnova. “Këto përpjekje duhet të merren shumë seriozisht. Por duhet të themi se fushatat dhe përpjekjet e Rusisë shpesh nuk e arrijnë qëllimin e tyre.”/DW

 

Fraksion.com